Tensionet në veri të Kosovës/ Kurti: Serbia po provokon konflikt, mund të marrë përmasa rajonale, banorët të rrinë të qetë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se Serbia po provokon konflikt i cili mund të marrë përmasa rajonale.

Kurti tha se hetimet policore do të zbardhin rastin e sulmeve në qendrat e regjistrimit të automjeteve. Kurti ftoi qytetarët në veri të mos dirigjohen nga ata që përfitojnë nga tensionet. Kryeministri falënderoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës për profesionalizimin e treguar gjatë kësaj kohe. 

Pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se gjatë orëve të mbrëmjes do të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë.

“Djegia e qendrës për regjistrimin e veturave në ora 01:00 pas mesnatës nuk ka qenë zjarr aksidental, por e qëllimshme. Edhe në qendrën e regjistrimit në Zveçan nga dritarja janë hedhur dy bomba dore, që fatmirësisht nuk eksploduar. Hetimet policore do të zbardhin rastet. Sulmet vijnë pas deklaratave nxitëse në Beograd për bllokimin e rrugëve që shpien në Jarinë e Bërnjak. Serbia po dëshiron të destabilizojë situatën, po sjell deri në pikën kufitare helikopterë e avionë të prodhimit rusë. Serbia po provokon konflikt, i cili mund të marrë përmasa rajonale.

Ftesës së Brukselit ne i jemi përgjigjur pozitivisht. Serbia ka refuzuar, pengesat e veprimet kriminale të Serbisë janë të tilla, sepse krimi, frika, kaosi ka qenë e vetmja formë për mbijetesë për ta për 2 dekada. Vendimi është masë e barabartë.

Ftojmë qytetarët në veri, të mos frikësohen nga veprimet kriminale dhe të mos dirigjohen nga ata që përfitojnë nga tensionet. Paramendoni se çfarë do të ndodhte aty në pikat kufitare, sikur të mos ishin policët tane.

E kam ftuar një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, e cila pritet të mbahet gjatë orëve të mbrëmjes”

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *