Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka komentuar nga Korça situatën e tensionuar në veri të vendit, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe u dorëhoqën nga institucionet publike në Kosovë, për shkak të reciprocitetit për targat mes Prishtinës dhe Beogradit.
Në lidhje me këtë çështje, Peleshi tha se qeveria shqiptare është pro zgjidhjes së problemit me dialog dhe se Kosova është në të drejtën e saj të kërkojë reciprocitetin me Serbinë. Më tej, ai theksoi se Kosova është një shtet i pavarur, ndërsa shtoi se Serbia ka axhendë të ndryshme nga pjesa tjetër e rajonit.
“Komenti im është ai që qeveria shqiptare e ka bërë dhe publikisht, ne jemi për zgjidhjen me dialog. Natyrisht Kosova është në të drejtën e vet të kërkojë reciprocitetin, Kosova është një vend shtet i pavarur, vetëm rruga e dialogut, dialogu është rruga që do zgjidhë gjithë çështjet e vendeve tona drejt destinacionit që Ballkani Perëndimor ka, që është integrimi në strukturat euroatlantike. Ne jemi 3 nga 6 vendet që gjysmën e rrugës e kemi kryer, jemi anëtare të NATO por jemi ende në procesin e integrimit të BE. Është aspiratë e të 6-ve. Serbia e ka axhendë të ndryshme nga ne përsa i përket anëtarësimit të NATO por gjithë vendet e tjera rrugën drejt NATOS e kanë destinacion. Kemi disa vite që dialogu që është një proces që po ndodh dhe nuk është një apel që i përket së ardhmes. Po ndodh, është mirë që gjithë arritjet të mbahen e ndërtohen mbi dialogun”, tha Peleshi.