Në Kosovë njohës të fushës së ekonomisë thonë se situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë, nuk pritet të ketë ndonjë ndikim të madh e të menjëhershëm në shkëmbimin tregtar ndërmjet të dyja vendeve, por në planin afatgjatë do të ndikojë negativisht në tërheqjen e investimeve të huaja.
Dogana e Kosovës në një përgjigje për Zërin e Amerikës tha se vlera e mallrave që vijnë nga Serbia ka shënuar një rënie të lehtë që nga vendosja e reciprocitetit. “Trafiku komercial është riorientuar në drejtim të vendkalimit kufitar në Merdarë. Një javë para datës 20 shtator kishte rreth 601 dërgesa me vlerë rreth 4.9 milion euro, ndërsa javën pas datës 20 shtator 501 dërgesa me vlerë rreth 3.9 milion euro”, thuhet në një përgjigje të Doganave të Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, thotë se bllokimi i dy vendkalimeve kufitare Jarinjë e Bërnjak, që ndodhi pas vënies së masës së reciprocitetit, vetëm e drejton transportin e mallrave në vendkalimet tjera.
“Sa i takon aspektit ekonomik ose më mirë të them problemeve të cilat mund të shkaktohen qoftë nga shkëmbimi tregtar ndërmjet të dyja shteteve, qoftë nga bashkëpunimi ekonomik pas bllokadës së dy rrugëve të rëndësishme, dy vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 ose Bërnjak dhe Jarinjë, ajo që mund të thuhet është se këto pika zakonisht nuk janë përdorur për transportin e mallrave, përjashto ndoshta transportin e mallrave që kanë pasur destinim komunat veriore, trafiku duket që vijon normalisht me një intensitet të shtuar në pikat tjera kufitare siç është ai i Merdares, Dheut të Bardhë apo vendkalimeve të tjera”, thotë zoti Zeka.
Eksperti i ekonomisë, Lekë Musa, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se në fakt ndikimi kryesor i situatës së krijuar në veri është trembja e investitorëve të huaj.
“Momentalisht mund të them se nuk do të ketë ndikim të madh imediat sepse ndikimi kryesor e parësor do të jetë te trembja e investitorëve të huaj dhe ajo çka e vuan Kosova për një kohë të gjatë është mosinteresimi nga investitorët e huaj për të investuar në Kosovë dhe gjithmonë jostabiliteti politik përçon një mesazh se ky vend nuk është i sigurt për arsye politike e që mund të ketë edhe aspkete pastaj të sigurisë dhe kësisoj frikësohen investitorët e huaj”, thotë ai.
Pa u zgjidhur çështje të hapura si kjo, Kosova nuk mund të presë investitorë seriozë, thotë zoti Musa.
“Në aspekt afatgjatë kjo joqëndrueshmëri politike, këto kriza të vazhdueshme politike gjithsesi kanë ndikim dhe do të kenë ndikim në ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Pa e zgjidhur çështjen politike, pa pasur një stabilitet, nuk mund të presim që do të kemi investitorë seriozë sepse askush nuk dëshiron ta rrezikojë kapitalin duke e dërguar në një vend të tretë ku ekziston një pasiguri”, thotë ai.
Për të nëntën ditë me radhë grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit për targat.
Nga e hëna e kaluar makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet ne Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë.
Zoti Zeka, thotë se në fakt situata e tilla dëmtojnë imazhin e mbarë Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur ky rajon ka nevojë për investime.
“Kjo i bën investitorët potencialë që ndoshta kanë konsideruar të zgjerohen në Kosovë, Serbi ose në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, për shkak se edhe referenca e Ballkanit Perëndimor aty është e pashmangshme, e bën më pak atraktive për këta investitorë të huaj, kështu që krijohen probleme të kësaj natyre”, thotë ai.
Ata thonë se në situatë të tillë është thelbësore që Kosova të ruajë bashkërendimin me partnerët ndërkombëtarë dhe NATO-n, ndërsa çështjet e hapura me Serbinë t’i zgjidhë nëpërmjet dialogut.
“Mendoj se është një veprim i mirë i cili e dërgon këtë mesazh te investitorët perëndimorë se Kosova pra i takon këtij bllokut perëndimor dhe jo të lindjes, dhe ku garantues i paqes dhe sigurisë në Kosovë është NATO-ja dhe kjo në vetvete ka një mesazh pozitiv”, thotë zoti Musa.
“Të arrijnë një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse e ta shndërrojnë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor në një vend të paqes dhe prosperitetit i cili është i hapur për investitorët e huaj, i cili pastaj krijon edhe parakushte për jetësimin e idesë për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, më shumë vende pune për qytetarët e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe më pak emigrim që është tendencë e shumicës së të rinjve të këtyre shteteve”, thotë zoti Zeka.
Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve, i publikuar në korrik të këtij viti, kishte renditur paqëndrueshmërinë politike në Kosovë si një nga shkaktarët që kufizon mundësitë e saj për të tërhequr investime të huaja të drejtpërdrejta.
/Burimi: VOA/