Flamur Totaj ka ndërruar jetë pasi një zjarr i ndezur në ullishte nga vetë ai ka dalë jashtë kontrollit.
Mësohet se 73-vjeçari kishte ndezur zjarrin për të djegur mbeturinat por, në tentativë për ta shuar është asfiskuar.
Njoftimi i policisë
Paraditen e sotme, në lagjen Lugas të fshatit Plashnik, Poliçan, shtetasi F. T., 73 vjeç, ka ndezur zjarr në ullishten e tij për të djegur mbeturinat. Zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur në sipërfaqe të madhe toke.
Shtetasi F. T. nuk ka njoftuar shërbimet zjarrfikëse dhe as ato të Policisë, por ka tentuar ta fikë vetë zjarrin. Gjatë tentativës për të izoluar përhapjen e flakëve, 73-vjecari është asfiksuar dhe për pasojë ka humbur jetën.
Pas njoftimit të marrë nga kryeplaku i fshatit Plashnik, në lidhje me ngjarjen, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.