Një 30-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë rrugore.
Shtetasi me iniciale A.G., i ka ofruar një shumë parash policisë, pasi ka kryer parakalim kalim të menjëhershëm pa sinjalizim.
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore vijon kontrollet e dedikuara për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Si rezultat i kontrolleve, Policia Rrugore e Tiranës ka goditur 1 rast të tentativës për mitëdhënie, me qëllim shmangien e masës administrative. Shkon në 101 numri i rasteve të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, të goditura gjatë këtij viti, nga Policia Rrugore e Tiranës. Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. G., 30 vjeç, i cili me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljen e kryer (kalim të menjëhershëm në korsinë e ngadalësimit, pa sinjalizim), i ka ofruar punonjësve të Policisë, një shumë parash. Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.