Një 43 vjeçar është arrestuar në Muriqan të Shkodrës, pasi ka tentuar të trafikojë drogë drejt Malit të Zi.
Mësohet se gjatë kontrollit nga policia në automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin me iniciale S. K., 25 vjeç dhe pasagjer shtetasin me iniciale Sh. K., 43 vjeç, në çantën e këtij të fundit u gjet një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Njoftimi i policisë:
Muriqan, Shkodër
Kontrolle të shtuara nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Arrestohet në flagrancë 43-vjeçari që tentoi të trafikonte një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, në drejtim të Malit të Zi.
Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, në zbatim të masave shtesë për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë që mund të zhvillohet në pikat e kalimit kufitar, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm, në vijën e dytë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, një automjet me të cilin dyshohej se mund të transportohej lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. K., 25 vjeç dhe pasagjer shtetasin Sh. K., 43 vjeç, në çantën e këtij të fundit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh. K., 43 vjeç, banues në Librazhd, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.