Një 31-vjeçar i identifikuar si Andi Vrapi është vënë në pranga pasi akuzohet se ka tentuar të grabisë Njësinë Administrative Kutalli.
Uniformat blu raportojnë se 31-vjeçari është futur me thikë në dorë në zyrën e arkëtarit të Njësisë Administrative Kutalli dhe ka kërcënuar punonjësin.
“Më jep paratë”, mësohet t’i ketë thënë ai dhe i ka marrë çantën e dorës me forcë. Pasi e ka kontrolluar dhe nuk ka gjetur para brenda saj, 31-vjeçari është larguar me vrap, por është kapur nga policia.
Njoftimi i policisë:
Tentoi të vidhte me forcë, në ambientet e Njësisë Administrative Kutalli, Policia identifikon, kap dhe vë në pranga 31-vjeçarin. Shërbimet e Policisë Dimal, pas informacionit se një shtetas ishte futur me forcë, për të vjedhur në zyrën e arkëtarit të Njësisë Administrative Kutalli, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. V. ka hyrë me forcë në zyrën e arkëtarit të Njësisë Administrative Kutalli dhe duke kanosur me fjalë arkëtarin, i ka kërkuar atij vlera monetare dhe i ka marrë me forcë çantën e dorës, të cilën pasi e ka kontrolluar dhe nuk ka gjetur vlera monetare e ka hedhur dhe ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal arrestuan në flagrancë shtetasin A. V., 31 vjeç, banues në Kutalli, Dimal, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” mbetur në tentativë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.