Tentuan të arratisen në mënyrë ‘spektakolare’, kush janë dy të ‘fortët’ e burgut 313

Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri të cilët mbaheshin brenda burgut 313 në kryeqytet kanë tentuar të arratisen.  Me anë të një çarçafi ata kanë tentuar që të kalojnë nga ajrosja në ambientet e administratës së këtij burgu, por plani u ka dështuar pasi janë pikasur në kohë nga gardianët e burgut dhe janë rikthyer në qelinë e tyre. Të dy janë emra shumë të njohur për drejtësinë shqiptare.

Pjetri, nga Puka, është pjesë e bandës së ‘Babagjyshërve’ dhe vetëm pak vite më parë është ekstraduar nga Holanda, pasi është i dënuar me 30 vjet burg. Pjetri ka qenë pjesë aktive e grupit të ashtuquajtur “Babagjyshët”, ku gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 e në vazhdim kanë bërë grabitje spektakolare, e gjithmonë thuajse perfekte. Nga ana tjetër, Çekaj pretendon se mbahet kot në burg.

Ai është i dënuar me 14 vite burg si pjesë e grupit kriminal të trafikut të kokainës pasi iu kap sasia prej 613 kg kokainë më 27 shkurt 2018 që e kishte fshehur në dyshemenë e konteinerit me banane. Por brenda së njëjtës familje, 3 vite më vonë historia është përsëritur, pasi Policia gjithashtu ka sekuestruar në portin e Durrësit 49 kg kokainë e fshehur në një konteiner me banane që i përkiste Selim Çekajt, babait të Arbër Çekajt.

Deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me rastin nga Drejtoria e Burgjeve, ndërkohë që mister mbetet nëse kjo është hera e parë që të dy e kanë provuar një tentativë të tillë. Ata tashmë do të përballen me akuzën e tentativës së lartimit nga vendi vuajtjes së dënimit.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *