Një çift kinez është arrestuar në aeroportin e Rinasit pasi po tentonin të kalonin kufirin drejt Kanadasë me leje qëndrimi false.
Uniformat blu raportojnë se në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet L. Ch., 36 vjeç dhe Y. Ch., 33 vjeçe (bashkëshortë), të dy banues në Kinë.
Sakaq, mësohet se pas kontrolleve nga Policia, rezultoi se lejet e qëndrimit që paraqitën me qëllim udhëtimin drejt Kanadasë, ishin të falsifikuara.
Njoftimi i policisë:
Rinas/Kontrolle të shtuara, me pajisje dedektuese bashkëkohore, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kufitare.
Tentuan të kalonin kufirin, drejt Kanadasë, me leje qëndrimi false, arrestohen në flagrancë 2 shtetas kinezë (bashkëshortë).
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, bazuar në analizën e riskut, kanë intensifikuar kontrollet përmes pajisjeve dedektuese bashkëkohore, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Si rezultat, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit:
– L. Ch., 36 vjeç dhe Y. Ch., 33 vjeçe (bashkëshortë), të dy banues në Kinë.
Këta shtetas u kaluan në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm dhe gjatë verifikimeve, rezultoi se lejet e qëndrimit që paraqitën me qëllim udhëtimin drejt Kanadasë, ishin të falsifikuara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.