Tërheqja e ujit të detit nga plazhet shqiptare/ Ja si e shpjegojnë ekspertët fenomenin e pazakontë

Qytetarët e Shëngjinit dhe të Vlorës janë bërë dëshmitarë të një fenomeni të pazakontë që po ndodh në këto dy plazhe, të cilat duket se kanë tërhequr vëmendjen edhe të shumë personave, të cilët për herë të parë janë përballur me një eksperiencë të tillë.Bëhet fjalë për tërheqjen e detit me disa metra. Së pari, fenomeni u konstatua në plazhin e Shëngjinit, kur qytetarë dhe turistë panë se si deti ishte tërhequr me disa metra, duke nxjerrë në pah qindra objekte, që deri dje kanë qenë të fshehura nën ujë.

Tërhiqet me disa metra uji i detit në Shëngjin dhe Vlorë:

Teksa vitin e kaluar deti po avanconte duke “gllabëruar” rërën dhe pishat pranë bregut, këtë vit ndodhi fenomeni i kundërt. Prej 5 ditësh, deti është tërhequr me disa metra në zonën e plazhit, duke bërë që lokalet dhe objekte të tjera që ishin të ngritura mbi ujë të dalin zbuluar në sipërfaqe.

E njëjta gjë, ndodhi edhe sot në qytetin e Vlorës, ku nga pamjet e publikuara shihen varkat e peshkatarëve në rërë, që supozohen të ishin brenda ujit, të cilat janë disa metra larg detit pas baticës.

Por, pse ndodh ky fenomen i çuditshëm dhe me çfarë lidhet ai?

Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhani thotë se një fenomen i tillë ndodh si pasojë e tërheqjes magnetike nga hëna.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, niveli i ujit në det dy herë ngrihet pakëz dhe dy herë ulet, ndërsa shton se, përveç hënës, në të ndikojnë edhe shumë faktorë nga më të ndryshmet dhe në radhë të parë lëvizja e diellit, ka ndikim të madh ka në pranverë.

“Fenomeni i tillë ndodh si pasojë e ndikimit të tërheqjes së hënës, niveli i ujit në oqeane pëson lëkundje periodike. Periudha e këtyre lëkundjeve është pak më e madhe ose më e vogël se njëzet e katër orë. Gjatë kësaj periudhe, niveli i ujit në det dy herë ngrihet pakëz dhe dy herë ulet. Me një fjalë, fenomeni i baticave e i zbaticave është shumë i ndërlikuar. Meqenëse, përveç hënës, në të ndikojnë edhe shumë faktorë nga më të ndryshmet dhe në radhë të parë lëvizja e diellit, ka ndikim të madh ka në pranverë”, thotë Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhani.

Prej vitesh, erozioni detar është kthyer në kërcënim për bregdetin e Shëngjinit, duke marrë sipërfaqe të mëdha toke. Ekspertët llogarisin se çdo vit, dallgët fitojnë 2.5 metra bregdet dhe prej vitit 1970 kur filloi ndërtimi i kaskadës së Drinit, janë humbur rreth 362 hektarë.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *