Një tërmet i fuqishëm ka goditur Turqinë juglindore pranë kufirit me Sirinë. Deri më tani raportohet rreth 200 viktima ndërsa kanë mbetur të bllokuar më shumë të tjerë.
Sipas raportit të fundit të autoriteteve turke, numri i të vdekurve nga tërmeti ka shkuar në 76 në rajonet e Kahramanmaras, Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Adana, Antiyaman dhe Malatya, ndërsa numri i të plagosurve ka shkuar në 440 në të njëjtat rajone. Ndërsa në Siri numri i të vdekurve ka shkuar në 111. Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet në orët në vijim pasi shumë persona dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Pas tërmetit 7.7 Rihter janë regjistruar 42 pasgoditje, ku më i madhi është i rendit 6.6 Rihter. Nga tërmeti shumë ndërtesa janë shembur dhe ekipet e shpëtimit kanë nisur kërkimet për personat e mbijetuar nën rrënoja.
Ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu tha se nga tërmeti janë prekur 10 qytete: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Dijarbakir dhe Kilis.
Turqia ka kërkuar ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar.