Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përcjellë mesazh ngushëllim për popullin turk pas tërmetit shkatërrues të ditës së sotme, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën qindra persona. Ajo thotë se Shqipëria është pranë popullit turk në këto momente të vështira.
“Të gjithë jemi të tronditur e hidhëruar nga lajmi për tërmetin shkatërrimtar në disa qytete të Turqisë Juglindore, për mbi pesëqind viktimat që humbën jetën, të lënduarit e të bllokuarit si edhe rrënimin e banesave të shumta. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, ndaj dhimbjen me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, z. Mustafa Şentop, me familjet e viktimave e të të dëmtuarve dhe popullin turk. Lutemi për ju dhe ju jemi pranë në këto ditë të rënda. Solidaritet, kurajo e forcë për të përballuar pasojat e kësaj goditjeje të natyrës” – thuhet në reagim.
Edhe Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për tragjedinë në Turqi dhe Siri.
“Në këto momente shumë të vështira të përballjes me tërmetin shkatërrimtar që goditi natën e mbrëmshme, lutjet tona shkojnë për viktimat e shumtë që humbën jetën tragjikisht, duke shpresuar për sa më pak viktima të tjera në njerëz dhe një shërim të shpejtë të të plagosurve” – shkruan Meta.