Deri tani janë konfirmuar më shumë se 5.021 viktima në dy anët e kufirit si pasojë e tërmetit me magnitudë 7.8. Por sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vdekjet nga tërmeti në Siri dhe Turqi mund të arrijnë në 20.000 në ditët në vijim.
Numri i të vdekurve në Turqi shkoi në të paktën 3.419 viktima, tha zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay në një konferencë televizive të martën.
Të paktën 20.534 persona janë raportuar të plagosur, shtoi Oktay. Deri më tani, 11.000 ndërtesa janë raportuar të dëmtuara në Turqi.
Ndërsa në Siri, numri i të vdekurve është rritur në 1.602 në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe zonat e kontrolluara nga opozita, raportuan zyrtarët.
Të paktën 3.649 persona janë raportuar të plagosur në të gjithë vendin, sipas tyre.
Qindra familje mbeten të bllokuara nën rrënojat e ndërtesave të shembura në Sirinë veriperëndimore pas tërmetit të fuqishëm të së hënës, sipas Helmetave të Bardha.
Pasgoditjet dhe moti i ftohtë po pengojnë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit për gjetjen e të mbijetuarve dhe nxjerrjen e trupave të viktimave, me një lëkundje me magnitudë 5.4 ballë që u ndje në Turqinë lindore mëngjesin e sotëm.
Koordinatori humanitar i OKB-së në Siri, El-Mostafa Benlamlih, i tha CNN se misioni i kërkim-shpëtimit po pengohej nga mungesa e pajisjeve dhe makinerive të posaçme.
Ai tha se rezervat e OKB-së janë shpërndarë dhe nevojiten më shumë ilaçe dhe pajisje mjekësore, dhe veçanërisht ujë apo mjete për të riparuar rezervuarët e dëmtuar të ujit.