Edhe Shqipëria përballet me vështirësi të pazakonta të furnizimit me energji. Dy termocentralë lundrues pritet të prodhojnë energji me kosto më të ulët.
Dy termocentrale lundrues, që kanë hedhur tanimë spirancat e tyre në Gjirin e Vlorës, në detin Jon, do të fillojnë të prodhojnë në 1 janar 2023, 15 përqind të sasisë së energjisë vjetore që i duhen ekonomisë dhe familjeve në Shqipëri. Sipas ekspertëve vendas energjia e prodhuar nga dy termocentralët lundrues, të marrë me qira për 2 vjet nga kompania amerikane “Excelerate Energy,” do të ketë një kosto tri herë më të ulët sesa e njëjta sasi e importuar.
Lufta në Ukrainë, kriza energjitike nga reduktimi drastik prej Rusisë i furnizimit të Europës me gaz natyror, parashikimet për një dimër me reshje të pakta shiu dhe dëbore, rritja stratosferike e ꞔmimit të energjisë në tregjet europiane dhe botërore janë sinjale të qarta edhe për Shqipërinë që parathonë vështirësi të pazakonta të furnizimit me energji. Në këtë kontekst, qeveria Rama vendosi në fillim të këtij muaji rritjen e ꞔmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë për tre muajt e fundit të këtij viti: duke filluar nga kjo e shtunë, (01.10) ata do të paguajnë 4, 5 herë më shumë për 1 KW/orë nëse konsumojnë më shumë se 800 KW/orë në muaj. Por të premten (30.09) kryeministri Rama njoftoi se qeveria vendosi që vendimi për rritjen e çmimit të energjisë mbi konsumimin e 800 KW/orë në muaj të mos hyjë në fuqi “nisur nga reshjet dhe kursimi i energjisë”.
Arbër Avrami, drejtor Ekzekutiv i AIbgaz, thotë se “me dy termocentralet lundrues Shqipëria ka mundësuar sigurimin e një zgjidhjeje tejet të vlefshme në përballimin e sfidave imediate që ka prodhuar kriza energjetike. Me kapacitet 110 MW/orë dhe me potencial për të prodhuar jo më pak se 867 GW në vit, këto terminale lundruese ofrojnë një mundësi të mirë për përballimin e krizës energjetike globale që pritet të agravohet gjatë dimrit të ardhshëm.”
Gjermania dhe termocentralet lundrues
Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës numri i anijeve-termocentrale lundrues- është i kufizuar në nivel global. Kompania amerikane “Excelerate Energy” ka vetëm 10 të tilla, dy prej të cilave janë ato që kanë mbërritur në Gjirin e Vlorës. Në kushtet e krizës globale energjetike kërkesa për termocentralët lundrues sa vjen dhe po rritet.
“Edhe vende të zhvilluara si Gjermania po i konsiderojnë këto anije lundruese, që gjenerojnë energji si një mjet të tejkalimit të problematikës emergjente po aq sa edhe një mënyrë të përshtatshme, që mundëson balancimin e mungesës së energjisë nga tërheqja e vullnetshme e Gjermanisë prej përdorimit të energjisë bërthamore. Gjermania po i shikon termocentralet lundrues si një alternativë të preferueshme, efikase në kohë, elastike lidhur me dislokimin gjeografik atje ku nevojiten më shumë dhe me rrezik mjedisor më të reduktuar”, thotë Arbër Avrami.
Impakti mjedisor brenda standarteve ndërkombëtare
Prodhimi i energjisë elektrike nga dy termocemtralet lundrues pas tre muajve është “konform legjislacionit vendas, standardeve ndërkombëtare të ruajtjes së mjedisit dhe ka marrë edhe çertifikatën përkatëse mjedisore”, sqaron Arbër Avrami. “Platformat do ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre në një zonë që ka për destinacion përdorimin industrial. Ato janë brenda kompleksit industrial të Triportit në Vlorë, ku ndodhet edhe Termocentrali i Vlorës, zona e përpunimit të hidrokarbureve Petrolifera si dhe veprimtari të tjera me karakter të ngjashëm”, thekson ai.
Lidhur me lëndën djegëse që do përdorin termocentralet lundruese për prodhimin e emergjisë elektrike “do të jenë ato që përmbushin standardin botëror dhe përdoren në mjete lundruese dhe veprimtari industriale, me emetime gazrash sipas normave të lejuara vendase dhe ndërkombëtare për emetimet industriale”, thotë Arbër Avrami. “Teknologjia që do përdoret në këto impiante garanton që impakti mjedisor të qëndrojë konform manualeve ndërkombëtare të Bankës Botërore, marrëveshjeve ku Shqipëria bën pjesë, rregullave për lejet mjedisore në Republikën e Shqipërisë” thekson ai.
Ambientalistët: dimër në errësirë apo mjedis të parrezikuar?
Por ambientalistët dhe organizatat mjedisore mendojnë ndryshe. Rreziku i mungesës së energjisë dhe i një dimri në errësirë i kanë ndarë opinionet e tyre lidhur me pasojat e ndotjes së mjedisit dhe ato në florën dhe faunën e detit Jon, në Gjirin e Vlorës, nga prodhimi i energjisë prej dy termocentraleve lundrues duke përdorur një lloj nafte. Ambientalisti Xhemal Mato thote se “në kushtet e mungesës së energjisë elektrike dhe të një dimri në errësirë dobia e prodhimit të energjisë elektrike nga dy termocentralët lundrues është më e madhe sesa dëmtimi i mjedisit, që mendoj se nuk do të jetë i pakthyeshëm dhe shumë i rëndë.”
Por organizata mjedisore “Aleanca për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës” dhe një grup tjetër ambientalistësh bashkë me qytetarë të Vlorës kanë protestuar kundër vendosjes në Vlorë të dy anijeve që pritet të prodhojnë energji elektrike. Ambientalisti Sazan Guri thotë për DW, se përdorimi i naftës si lëndë djegëse do të shkaktojë dëmë të mëdha “pasi nuk ndodh në tokë, e cila ka aftësi gjeneruese por në det që nuk i ka këto aftësi, gjë që rrezikon të shkaktojë dëmë të mëdha mjedisore.” “Termocentralet lundruese nuk kanë ftohje. Uji që do të dalë prej tyre do të jetë mbi 40-45 gradë gjë që do të thotë që fauna dhe flora në det në det do të shkatërrohet pasi nuk e duron këtë temperaturë. Ndotja e ujit të detit dhe e ajrit do të sjellë dëme të mëdha mjedisore”, thotë ambientalisti Sazan Guri.
Infrastruktura e gazit në zhvillim e sipër
Kundërshtimi i lëvizjes ambientaliste ndaj vend-ndodhjes së termocentraleve lundrues dhe funksionimit të tyre të përkohshëm me naftë, duket se nuk mund të jape rezultate të menjëhershme. „Tani për tani nuk është i mundur përdorimi i gazit natyror si lëndë djegëse për të prodhuar energji elektrike dhe patur emetime më të ulta gazrash të dëmshme sesa hidrokarburet. Në Shqipëri infrastruktura e gazit është në zhvillim e sipër dhe e kufizuar vetëm në tubacionin TAP që çon gazin drejt Italisë”, thotë për DW Arbër Avrami, Drejtori Ekzekutiv i Albgaz.
Megjithatë po bëhen hapa përpara. “Në bashkëpunim me partnerët strategjikë të kompanive amerikane, “Excelerate Energy” dhe „Exxon Mobil” po ngrihet infrastruktura e një terminali të ri për portin e lundrueshëm të gazit të lëngët (LNG) në portin e Vlorës dhe transmetimit të LNG deri në TEC-in ekzistues në Vlorë. Më pas nëpërmjet tubacionit Fier-Vlorë do të bëhet ndërlidhja me tubacionin TAP të gazit,” thekson Arbër Avrami. Kur të fillojë furnizimi me gaz përmes këtij terminali, termocentralet lundrues do të konvertohen për të përdorur gazin natyror si lëndë të parë djegëse për të prodhuar energji elektrike.
Projekte rajonale për siguri energjetike
Ambicia e Shqipërisë për t’u shndërruar në një nyje rajonale energjetike synon të realizohet brenda dy viteve kur të përfundojë ndërtimi i terminalit të lundrueshëm në portin e Vlorës, i cili „do të garantojë jo vetëm plotësimin e nevojave të brendshme por do të shndërrojë Shqipërinë edhe në një kontributor të sigurisë energjitike në Ballkan dhe në Europën Jug-Perëndimore,” thotë Arbër Avrami. „Shqipëria po negocion me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën që të bëjë të mundur një integrim më të gjerë infrastrukturor të rajonit për sigurinë energjitike. Ajo do të kontribuojë jo vetëm nëpërmjet përshpejtimit të ndërlidhjes nëpërmjet TAP dhe gazit natyror por edhe kontributit me energji elektrike nga vënia në funksionim e TEC-it të Vlorës dhe ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës”, thekson Avrami.
Një projekt tjetër me rëndësi rajonale është ai i ndërtimit të tubacionit Jonian-Adriatik që do të lidhë sistemin ekzistues të transmetimit të gazit të Kroacisë me gazsjellësin TAP përmes Malit të Zi, Shqipërisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Bosnjë-Hercegovinën.
Shndërrimi i Shqipërisë në një qendër energjitike rajonale ka sjellë interes në rritje të partnerëve rajonalë për të bashkëpunuar, bazuar në interesa të ndërsjellta për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe uljen e varësisë në rajon nga gazi rus. Një shembull inkurajues është bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe kompanisë amerikano-bullgare, Overgas, lider në Bullgari në sektorin e gazit. Kjo kompani nënshkroi në Tiranë në janar të këtij viti një Memorandum Mirëkuptimi me kompaninë shtetërore shqiptare Albgas lidhur me bashkëpunimin dy palësh për realizimin e projekteve që diversifikojnë furnizimin me gaz natyror në Ballkanin Perëndimor (BP) dhe në Europë. Këtu përfshihet edhe furnizimin e kompanisë Overgas me Gaz të Lëngshëm, (LNG) në portin e Vlorës dhe realizimit të terminalit të lundrueshëm në portin e Vlorës, që do të ndërtohet nga kompanitë amerikane Exxon Mobil dhe Excelerate Energy, lidere në tregun global të LNG./dw