Në frontin e terrorizmit , SHBA dhe OKB bien dakord që Saif al-Adel , një egjiptian që jeton në Iran , është kreu i ri i Al Kaedës pas vdekjes së Ayman al-Zawahirit në korrik 2022 . “Vlerësimi ynë është në përputhje me atë të Kombeve të Bashkuara: udhëheqësi i ri i Al Kaedës, Saif al-Adel , jeton në Iran,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA. Al-Adel, 62 vjeç, është një ish-nënkolonel në forcat speciale të Egjiptit, i përket gardës së vjetër të grupit terrorist dhe gjithashtu ka trajnuar disa nga rrëmbyesit e 11 shtatorit.
Raporti i OKB-së Në një raport të OKB-së, të cituar nga Guardian, del se pikëpamja mbizotëruese e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara është “se al-Adel është tani lideri de fakto i Al Kaedës, që përfaqëson vazhdimësinë për momentin. Por lidershipi i tij nuk mund të deklarohet për shkak të ndjeshmërisë së Al Kaedës ndaj shqetësimeve të talebanëve afganë për mosnjohjen e vdekjes së Zawahirit në Kabul dhe faktit të pranisë së al-Adel në Republikën Islamike të Iranit.”
10 milionë dollarë shpërblim Sipas dëshmive të ndryshme, al-Adel ka qëndruar në Iran vitet e fundit, një strehë për udhëheqjen e Al Kaedës, pavarësisht ndarjes së madhe fetare: organizata terroriste është ekstremiste sunite, ndërsa Republika e Ajatollahëve është shiite. Shtetet e Bashkuara ofrojnë një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për këdo që jep informacion që çon në arrestimin e kreut të ri të Al Kaedës.