Të rritësh një djalë, është një nga punët më të vështira që mund të kesh ndonjëherë në jetë. Dhe si një nënë, më pëlqen që t’i shikoj djemtë e mi të rriten në versionin më të mirë të vetes së tyre. Një aspekt i kësaj është rritja e tyre për të qenë njerëz të fortë, të dashur dhe empatikë, që të mund të krijojnë terrenin për një botë më të mirë.
Shkruan Harley Manson
Ndërsa ky mund të duket si një mision i vështirë, dikush duhet që ta bëjë. Megjithëse nuk mund të garantoni se çfarë karakteri do të ketë në të ardhmen djali juaj, ju mund të rrënjosni tek ai vlerat e duhura, për ta ndihmuar të ecë në drejtimin e duhur, dhe të bëhet njeriu i denjë.
Ja cilat janë 8 mënyrat se si mund t’i rrënjosni vlerat e duhura djalit tuaj, për ta inkurajuar atë të bëhet një burrë i fortë, i guximshëm, empatik dhe i dashur me të tjerët.
1.Mësojini rëndësinë e dashurisë pa kushte
Dashuria e pakushtëzuar, është shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Dhe mënyra më e mirë për ta mësuar, është ta demonstroni atë duke e dashur pa kushte njerëzit e zemrës. Dashuria e pakushtëzuar është ta pranosh dikë për atë që është, t’i japësh hapësirën e tij dhe ta duash në të gjitha momentet e vështira.
2.Tregojini se është në rregull ta pranojë se ka gabuar
Kur bëni një gabim, pranojeni. Sigurohuni që djali juaj të kuptojë se ne të gjithë gabojmë ndonjëherë, dhe se kjo është normale. Por nga ana tjerët, nënvizoni se sa e rëndësishme është të jesh mjaftueshëm modest për të thënë: “Hej, gabova. U ngatërrova”.
3.Mësojeni të marrë përgjegjësinë për veprimet e tij, të drejta apo gabimet
Nxiteni gjithmonë që të marrë përgjegjësinë për veprimet e tij. Jo vetëm kur bën diçka siç duhet, por edhe kur bën gabim.
4.Lëreni të ndjejë emocionet e tij dhe ndihmojeni t’i menaxhojë ato
Kur ai vjen tek ju duke qarë, mos i thoni të pushtojë. Mos i thoni se po sillet si një vajzë. Në vend të kësaj, jepini atij vetëm dashuri. Jini empatik. Dhe mësojini atij se si t’i menaxhojë ato emocione të forta.
5.Mësojini se jeta ka kufij të caktuar
Kufijtë janë shumë të rëndësishëm në këtë jetë. Të kesh kufij dhe të dish se kur t’i thuash jo dikujt apo një situate, do ta mësojë djalin tuaj se si të vendosë kufijtë e duhur me njerëzit e tjerë.
6.Tregojini se respekti është shumë i rëndësishëm
Theksojini se sa e rëndësishme është pasja e respektit për të tjerët. Mësojeni atij duke e respektuar atë. Dhe duke respektuar të tjerët. Dhe nëse ndonjëherë vini re se ai shfaq mungesë respekti, bisedoni së bashku dhe më pas shpjegoni në detaje se përse respekti është i rëndësishëm.
7.Mësojeni të ndjekë konkurrencën e shëndetshme kundrejt asaj jo të shëndetshme
Nuk ka asgjë të keqe që një njeri të jetë konkurrues. Një ndjenjë e shëndetshme e konkurrencës do t’i shtyjë ata të jenë të motivuar drejt qëllimeve të tyre në jetë. Por, ka një ndryshim midis konkurrencës së pashëndetshme dhe asaj të shëndetshme.
E para është kur dikush bëhet xheloz dhe madje i fiksuar pas fitores apo daljes mbi të tjerët, deri në pikën që dëmtohet nga kjo garë. Shumica e njerëzve nuk e pranojnë humbjen pasi nuk janë mësuar që të vegjël me konkurrencë të shëndetshme. Prandaj rrënjosni tek fëmija juaj atë që do të thotë të kesh një ndjenjë të shëndetshme të rivalitetit dhe konkurrencës.
8.Tregojini se si të sillet si një zotëri i vërtetë
Bëjeni këtë, duke e inkurajuar të ndihmojë të tjerët. Tregojini atij respekt duke shfaqur respekt, dhe mësojini atij rregullat bazë të të qenit një mashkull kavalier. Nuk ka asgjë të keqe që një i ri të hapë dyert për të tjerët, apo t’i trajtojë ata me butësi, mirësi dhe respekt. /“Awarenessact”-Bota.al