Tetori rozë/ Gazetarja Reçi rrëfen luftën me kancerin e gjirit!

Kemi hyrë sot në muajin ndërkombëtar të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, të quajtur Tetori Rozë. Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli tetorin muajin e luftës kundër kancerit të gjirit duke e përcaktuar me një fjongo rozë.

Tetori Rozë ka për qëllim rritjen e vëmendjes ndaj kësaj sëmundjeje, si dhe vetëdijësimin, zbulimin dhe trajtimin e saj të hershëm. Sipas statistikave, kanceri i gjirit prek 1 në 8 femra. Simptoma e parë e dukshme nga prekja e mundshme e kësaj sëmundje është kuptimi i të paturit një ‘gungë’ në gji, e cila ndihet ndryshe nga indet e tjera normale.

Kjo është forma më e shpeshtë nëpërmjet të cilës rreth 80% e femrave kanë zbuluar së janë të prekura. Ndërkohë, mamografia ndihmon në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, i cili mund të shfaqet pothuajse në çdo moshë. Ende nuk ka mjaftueshëm njohuri mbi shkaqet e shfaqjes së këtij lloji kanceri, kështu që, zbulimi i hershëm i tij mbetet mundësia më e mirë për tu shëruar. Disa mënyra për parandalimin e tij janë minimizimi i stresit, jetesa e shëndetshme dhe aktviteti i rregullt seksual.

Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manatirliu, ka përcjellë sot një mesazh sensibilizimi për të gjitha gratë dhe vajzat. Ajo u ka bërë thirrjë të marrin vetëm 30 minuta nga koha e tyre për të kryer një vetëkontroll. Ajo informoi se në në cdo spital rajonal është siguruar mamografia dhe shërbimi është falas.

“Tetori është muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Ne gratë duke u kujdesur për familjen. Duke përmbushur detyrimet në punë dhe me angazhimet e tjera familjare e shoqërore, shpesh herë harrojmë një gjë shumë të rëndësishme: kujdesin për shëndetin tonë. Është detyra jonë të kujdesemi për fëmijët, familjen, prindërit dhe të afërmit. Ashtu sikurse është përgjegjësia jonë që në radhë të parë të mos neglizhojmë kujdesin për veten. Pandemia ka pasur efektet e saj në jetët tona. Për fat të keq, duke krijuar vonesa në kontrollet rutinë për shëndetin, sidomos te gratë. Ndaj në këtë tetor rozë, do t’i lutesha çdo gruaje, të marrë vetëm 30 minuta nga koha e saj, të bëjë vetëkontrollin e gjirit dhe të kryejë mamografinë. Programi ynë i diagnostifikimit të hershëm të kancerit të gjirit ka siguruar mamografitë në çdo spital rajonal, nga veriu në jug dhe ky shërbim është falas” tha ministrja.

Në videon e publikuar nga Manastirliu, ka folur edhe gazetarja Rezarta Reçi. Ajo ka rrëfyer luftën e saj me kancerin e gjirit dhe sfidat e vështira me të cilat ka qenë e detyruar të përballet.

“Si gazetare radio-televizive kam luftuar me profesionalizëm për diagnostifikimin e hershëm dhe luftën e fortë kundër kancerit të gjirit. Ndërsa si Rezartë u dorëzova. U dorëzova jo nga frika por nga arsye të thella që lidhen me subkoshiencën time. E lashë pas dore. Ka qenë dashuria dhe vëmendja e miqve të mi më të ngushtë. Ka qenë lufta frontale e ekipit të specializuar të mjekëve të Spitalit Onkologjik në Tiranë, të cilët morën masa të menjëhershme jo vetëm për të më diagnostifikuar, por edhe për ta luftuar kancerin e gjirit që ishte shfaqur në trupin tim. Jam mirënjohëse atyre. I jam mirënjohëse edhe vetes që zgjodha të mos plogështohem në krevat, përkundrazi zgjodha të bëj jetë aktive krahas luftës kundër kancerit të gjirit. Prandaj ti e dashur, ju të dashura që po më ndiqni, mos nguroni. Diagnostifikohuni për kancerin e gjirit, jo vetëm në muajin Tetor!” u shpreh ajo.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *