Edlir Tetova nuk është më trajner i Egnatias. Humbja e sotme 1-2 me Teutën në Rrogozhinë ka qenë fatale për 39 vjeçarin, që pas një takimi me drejtuesit nuk është më pjesë e skuadrës. Pas eksperiencës si zëvendëstrajner i Tiranës dhe drejtimit të Ulpianës në Kosovë, eksperienca e tretë për Tetovën nuk është mbyllur mirë.
Në javën e tetë të sezonit në Superligë, presidenti Agim Demrozi ka marrë vendimin për të shkarkuar trajnerin, që e drejtoi skuadrën në tetë ndeshje të kampionatit dhe dy në Kupën e Shqipërisë. Vetëm nëntë pikë pas tetë javëve dhe humbja në shtëpi me Teutën kanë qenë fatale. Dy fitore, tre barazime dhe tre humbje për Tetovën në stolin e Egnatias. Kujtojmë se gjatë merkatos së verës ekipi nga Rrogozhina ishte më aktivi në merkato, duke bërë 20 ndryshime në ekip, me drejtuesit që kërkojnë pozicion më të lartë në klasifikim.