Thanë se kanë kontroll mbi pronat, studimi “nxjerr zbuluar” gratë shqiptare, ja çfarë doli në dritë

Vendimmarrja e familjes në investime dhe aktivitetet e biznesit, vendimmarrja familjare në konsum/shpenzimet e nevojshme dominohet nga burrat në vendin tonë.

Sipas një studimi të fundit, të bërë publik nga World Vision Albania, gratë shqiptare kanë pak ose aspak fuqi vendimmarrje për çështje menaxheriale dhe financiare.

Kontrolli mbi asetet e familjes u evidentua në këtë studim përmes pyetjeve të të anketuarave, duke i kërkuar secilës të vlerësojë se sa nga pronat që zotëron familja, menaxhon ose drejton ajo. Për çdo send në pronësi të familjes, grave u kërkohet të tregojë se kush vendos nëse do të përdoret, shitet ose zëvendësohet prona nëse lind nevoja (Shih Grafikun).

Në përgjithësi, 60.9% e grave në Shqipëri thanë se kanë kontroll mbi pronat. Megjithatë, të shumica nuk kanë një kontroll autonom për të përdorur, për të shitur ose për të zëvendësuar këto prona, por një kontroll të përbashkët me bashkëshortin. Më pak kontroll kanë gratë në tokat bujqësore dhe më së shumti kontrolli i tyre shtrihet vetëm në mallra të vogla të konsumit shtëpiake, të tilla si pajisjet e kuzhinës (92%).

E drejta e grave për pronë është një çështje komplekse në Shqipëri, citon studimi. Edhe pse e drejta civile dhe familjare shqiptare njohin të drejtën e barabartë të grave për tokë dhe pronë, vetëm një përqindje e vogël e grave zotërojnë tokë, sepse ligjet nuk zbatohen dhe gratë vazhdojnë të jenë të margjinalizuara në çështjet e trashëgimisë. Sipas ligjeve shqiptare, gratë mund të blejnë dhe të kenë prona.

Megjithatë, këto ligje shpesh mbeten të injoruara dhe një nga arsyet janë normat sociale/kulturore – gratë tradicionalisht nuk janë në gjendje të jenë “kryefamiljare” në çështjet ligjore, ndaj është tepër e vështirë për gratë të bëhen pronare. Që nga viti 2018, vetëm 8% e grave shqiptare zotëronin një tokë.

Studimi me titull “Gra të fuqizuara, Fëmijë të Fuqizuar” analizon se si fuqizimi  i nënës lidhet me fuqizimin dhe përmirësimin e jetës së fëmijës. Sipas gjetjeve të studimit, një nënë e fuqizuar rrit fëmijë të fuqizuar. Kjo është një ndër gjetjet kryesore të studimit të ndërmarrë nga World Vision Albania.

Si rrjedhojë, fuqizimi i nënave është i lidhur ngushtë me qëndrimet pozitive ndaj të mësuarit dhe marrjen e njohurive të reja. Gjithashtu, nënat që përfshihen në vendimmarrjet e familjes, kanë akses në ndihmën ligjore dhe arrijnë të mbrojnë fëmijët e tyre nga dhuna.

Mbledhja e të dhënave të këtij studimi është realizuar në harkun kohor maj-qershor 2021. Pjesë e tij janë bërë 464 fëmijë të grupmoshës 11-17 vjeç dhe 464 gra (nëna) të grupmoshës 35-50 vjeç në 8 qytete  të vendit.

Mbledhja e të dhënave sasiore dhe cilësore është realizuar përmes telefonatave për shmangien e infektimit dhe përhapjes së COVID-19 në përputhje me protokollet në fuqi gjatë periudhës kur janë mbledhur të dhënat./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *