Shtetasi Armando Tërnova ka rënë në prangat e policisë pasi iu gjetën 3 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, në mjetin në të cilin ishte pasagjer. Në kërkim është shpallur Nehat Rizvani bashkëpunëtori i tij. Ndjekja e këtij të fundit nga policia ka bërë të mundur arrestimin e 25-vjeçarit Tërnova. Sipas policisë, Rizani ishte shoferi i makinës luksoze “Audi Q7” në të cilën u gjetën thasët me lëndë narkotike që peshonin 85 kilogramë. Të dy shtetasit akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Njoftimi i policisë:
Sekuestrohen 3 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 85 kg. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar dhe në inteligjencën informative se me një automjet po transportohej lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Hamil”.
Gjatë operacionit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, 2 shtetasit që po transportonin lëndën narkotike, me një automjet tip “Audi Q7″, pasi kanë parë që po ndiqeshin nga shërbimet e Policisë, kanë braktisur automjetin dhe janë larguar. Gjatë ndjekjes nga Policia, në fshatin Hamil, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej tyre, shtetasit A. T., 25 vjeç, banues në Fier. Gjatë kontrollit në automjetin që drejtohej nga shtetasi N. R., u gjetën dhe u sekuestruan 3 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 85 kg. Në vijim të veprimeve hetimore, u shpall në kërkim shtetasi N. R., 31 vjeç, banues në Hamil, i cili drejtonte automjetin në të cilin u gjet lënda narkotike. Punohet për kapjen e tij.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.