Fermerët po eksportojnë në Itali vajin e ullirit, që më pas ripërpunohet si markë e huaj, por me çmim nën kosto. Për shkak të mungesës së tregut në të kaluarën, bumi i kërkesës për eksporte i gjeti të papërgatitura pikat e grumbullimit. Të vetmit që po përfitojnë nga eksportet si vlerë e shtuar janë kultivarët e bashkuar me një markë shitje, por që janë të pakët. Zv.ministri i Bujqësisë deklaron se ka nisur zbatimin e strategjisë me katër mekanizma për të ulur koston prodhuese dhe shtimin e eksporteve. Në katër muaj, eksportet e vajit janë 4-fishuar.
Thatësira e stinës së pranverës që preku shtetet kryesore eksportuese të vajit të ullirit, si Spanjën dhe Italinë, shtoi mungesën e produktit në Europë dhe forcoi çmimet e shitjes nga 25 deri në 60% në bursat e huaja.
Për rrjedhojë, mungesa e vajit të ullirit në tregun europian ka krijuar bum kërkese nga industrialistët italianë për vajin e ullirit shqiptar.
Nga ky vakum prodhimi po përfitojnë fermerët shqiptarë të cilët, në vitin 2022, u përballën me superprodhim të vajit të ullirit që e magazinuan në shtëpi.
Tashmë, vaji i ullirit të fermerit po rikthehet te pikat e grumbullimit për t’u eksportuar drejt Italisë. Fabrikat e përpunim-grumbullimit pohojnë se çmimi i shitjes është nën kosto.
Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, pohoi për “Monitor” se eksportet e 4-mujorit 2023 janë 4-fishuar krahasuar me eksportet vjetore të vitit 2022.
Ai tha se duke marrë në konsideratë efektet e ndryshimeve klimatike që sollën thatësirën në vendet kryesore prodhuese dhe eksportuese të Europës janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi për nxitjen e eksporteve të ullirit dhe vajit të ullirit në tregun italian dhe europian.
Krahas tyre, Ministria e Bujqësisë, sipas tij, është duke zbatuar strategjinë në mbështetje të fermerëve me subvencione dhe programe të tjera, për uljen e kostos prodhuese dhe rritjen e eksporteve si vlerë e shtuar e ekonomisë.
“Ministrja Krifca, së bashku me homologun e saj italian Francesco Lollobrigida, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për nxitjen e eksporteve të ullirit dhe vajit të ullirit në tregun italian dhe europian.
Këto mekanizma dhe të tjerë u ngritën, duke marrë në konsideratë edhe efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat kanë sjellë thatësirë në Spanjë, Itali dhe Francë, duke krijuar kushtet që të rritet konkurrueshmëria e vajit të ullirit shqiptar.
Edhe shifrat e muajve të parë të këtij viti i kanë dhënë të drejtë kësaj strategjie, pasi shohim se në 4 muajt e parë të 2023 kemi eksportuar mbi 1,258 tonë, ndërsa gjatë vitit 2022 kemi eksportuar 326 tonë.
Ministria, së bashku me ekspertët dhe sektorin privat, po vazhdojnë bashkëpunimin që prodhimi dhe eksporti i vajit të ullirit të jetë një tjetër histori suksesi e bujqësisë shqiptare”, pohon zv.ministri Jaupllari.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2022, prodhimi i vajit të ullirit është 13% më shumë se në vitin 2021. Krahasuar me vitin 2020, prodhimi është shtuar me 42%. Ndërsa në vitin 2021, prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26% më shumë se viti 2020.
“Statistikat zyrtare publikohen në muajin qershor në INSTAT. Sipas statistikave paraprake që përpunon ministria kemi një prodhim prej 29,2 mijë tonësh vaj ulliri dhe rreth 157,7 mijë tonë ullinj. Ndërkohë që në vitin 2021 kishim 110 mijë tonë ullinj dhe 25,8 mijë tonë vaj ulliri”, pohoi zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari.
Vaji i ullirit shqiptar eksportohet i papërpunuar në Itali dhe me çmim nën kosto
Vaji i ullirit i prodhuar nga fermerët shqiptarë në këtë periudhë po kërkohet kryesisht nga tregtarët në Itali dhe ata në Greqi. Pikat e grumbullimit dhe përpunuesit pohojnë se vaji që eksportohet jashtë, kryesisht në Itali, është rifuxho, që më pas përpunohet jashtë dhe del si markë italiane.
Sipas tyre, Shqipëria nuk po përfiton nga kjo situatë, si vend eksportues i markave të vajit të ullirit, por vetëm për zbrazjen e vajit të ullirit nga shtëpitë e fermerëve.
Në anën tjetër, fermerët po e shesin vajin e ullirit për eksport te pikat e grumbullimit, me çmim 360 deri në 400 lekë për litër. Grumbulluesit e vajit pohojnë se çmimi i shitjes është nën kosto.
“Fermerët po e shesin vajin e ullirit për eksport, pasi ka një bum kërkesash nga operatorët italianë. Ka edhe nga ata fermerë që presin të rritet çmimi që ta shesin më shtrenjtë deri në 500 lekë.
Çmimi i shitjes është nën kosto, por me çmim më të lartë, fermerët nuk e shesin dot për eksport vajin e ullirit. Europianët e shesin më shtrenjtë, sepse mbështeten me subvencione nga BE-ja. Greqia subvencionohet nga shteti 1 euro për litër për vajin e ullirit.
Kjo do të ishte një gjë pozitive nëse do të ndodhte në Shqipëri. Në anën tjetër, nëse fermerët do të vijonin ta mbanin stok vajin e ullirit në shtëpi, pas përfundimit të stinës së verës, vlerat e tij ushqyese do të humbisnin”, pohon Ylli Hajdini, nga kompania prodhuese e vajit të ullirit “S.E.D Borsh”.
Pavarësisht se eksportet janë rifuxho, ku më pas vaji i ullirit shqiptar përpunohet nga të huajt dhe del si markë e tyre, z. Hajdini vlerëson se është tepër pozitive, pasi po ndihmon në shitjen e vajit te fermerët./Monitor