Ky është niveli më i ulët i regjistruar në një shekull, ndërsa mbetjet e dhjetëra anijeve luftarake gjermane të fundosura pranë qytetit të Prahovës gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë dalë në sipërfaqe.
Thatësira e këtij viti, për të cilën shkencëtarët thonë se është pasojë e ngrohjes globale, ka nxjerrë sërish në dritë më shumë se 20 skelete të këtyre anijeve në një pjesë të Danubit në Serbi.
Disa nga këto anije përmbajnë tonelata municione dhe eksplozivë dhe konsiderohen si rrezik për lundrimin. “Flotilla gjermane la pas një fatkeqësi ekologjike që na kërcënon ne, banorëve të Prahovës”, komentoi 74-vjeçari Velimir Trailovic, një banor në pension i qytetit, i cili ka shkruar një libër për anijet. Ndërkohë në mars, qeveria serbe shpalli një tender për pastrimin e lumit dhe heqjen e municioneve dhe eksplozivëve. Kostoja llogaritet të arrijë në 29 milionë euro.