Me kalimin e viteve Rita Ora është bërë një emër i njohur falë karrierës së saj si këngëtare dhe yll i televizionit. Por disa fansa mund të mos e dinë historinë e saj të pabesueshme familjare, e cila përfshin arratisjen nga vendi i saj i lindjes si fëmijë. Ky ka qenë përshkrimi që tabloidi britanik ‘The Sun’, i ka bërë së fundmi artistes shqiptare duke elaboruar historinë e saj dhe vendin e origjinës.
Kush janë prindërit e Rita Orës?
Rita Ora ka lindur më 26 nëntor 1990 nga prindërit Besnik dhe Vera Sahatçiu.
Babai i saj raportohet se është pronar i një pijetore në Londër dhe ka studiuar më parë për ekonomi. Çifti kanë tre fëmijë së bashku, Elenën, Ritën dhe Donin.
Ndërkohë, nëna e saj Vera është një psikiatre që punon për NHS (Shërbimi i Shëndetit Kombëtar në Mbretërinë e Bashkuar). Ajo u thirr në vijën e parë të frontit gjatë përhapjes së madhe të pandemisë së koronavirusit në pranverën e vitit 2020.
Vera tha: “Për shkak të presionit mbi NHS-në, do të më kërkohet të shkoj në vijën e parë për të ndihmuar ekipin emergjent dhe departamentet e tjera. Është një kohë shumë e rrezikshme dhe jo të gjithë janë të sigurt dhe qëndrojnë në shtëpi, pasi ne jemi të mbingarkuar me pacientë që vijnë dhe i vënë të gjithë në rrezik”.
Vera iu nënshtrua një mastektomie në vitin 2005 pasi u diagnostikua me kancer gjiri në moshën 39-vjeçare. Njerëzit shpesh kanë komentuar se sa shumë ngjajnë Rita dhe mamaja e saj.
Nga është Rita Ora?
Rita ka lindur në Prishtinë, Kosovë (Ish-Jugosllavi në kohën kur lindi këngëtarja), me të dy prindërit me prejardhje shqiptare. Ajo kaloi vitin e parë të jetës së saj në një banesë të vogël në Kosovë para se prindërit e saj të iknin nga persekutimi dhe zhurmat e luftës dhe gjenocidit.
Kosova atëherë ishte pjesë e Jugosllavisë dhe diktatori brutal Slobodan Millosheviç po fillonte shtypjen e tij ndaj shqiptarëve etnikë si familja e Ritës. Për t’i shpëtuar kësaj, familja u transferua në Mbretërinë e Bashkuar kur ajo ishte një vjeç.
Çfarë ka thënë Rita Ora për prejardhjen e saj?
Në prill të vitit 2020, Rita foli për “shpëtimin nga persekutimi serb” ndërsa familja e saj iu bashkua miliona shqiptarëve të tjerë që u arratisën nga vendi gjatë një lufte dhjetëvjeçare. Ajo e viziton Shqipërinë dhe Kosovën sa më shpesh që të mundet, madje është emëruar ambasadore nderi e Kosovës në Ambasadën e Londrës në vitin 2015.
Në vitin 2016, Rita pranoi se shpesh ngatërrohet për pamjen e saj dhe njerëzit e ngatërrojnë me etni të tjera për shkak të ngjyrës së lëkurës, e cila është pak më e errët.
Një gazetar i ishte referuar këngëtares duke i thënë: “Mendova se ishe gjysmë e zezë dhe gjysmë e bardhë, apo diçka e tillë?”. Dhe Rita ishte përgjigjur: “Zakonisht të gjithë e bëjnë. Mund të jem edhe unë. Por jo, unë jam shqiptare”.