Nga viti në vit diferencat e zhvillimit ndërmjet rajoneve sa vijnë e thellohen.
Tranzicioni i fortë demografik që po shpopullon me shpejtësi qarqet, mungesa e politikave të zhvillimit rajonal dhe përqendrimi i fondeve të qeverisë qendrore vetëm në disa rajone i ka forcuar edhe me tej diferencat që nga viti 2014 në vitin 2021.
Të dhënat e INSTAT që burojnë nga anketa e buxhetit të familjeve tregojnë se përgjatë 7 viteve (2014-2021) shpenzimet e familjeve në rang kombëtar janë rritur me 21.8 për qind.
Përgjatë kësaj periudhe nga 12 qarqet e vendit, 11 prej tyre patën rritje të të ardhurave në nivele të ndryshëm përveç qarkut të Lezhës ku shihet se shpenzimet e familjeve në vlerë neto në vitin 2021 ishin më të ulëta se në vitin 2014.
Psh shpenzimet mesatare në një familje në qarkun e Lezhës vitin e kaluar ishin 78,163 lekë nga 78,811 lekë që ishin në vitin 2014, ose 0.8% më pak.
Siç shihet nga grafiku në fund qarqet me rritjen më të madhe të shpenzimeve mujore për familje nga viti 2014 ishin ato në jug të vendit përveç Gjirokastrës ekonomia e së cilës po ndikohet nga plakja e popullsisë me ritme më të shpejta se qarqet e tjera.
Përgjithësisht shpenzimet mujore për familjet në qarqet e Kukësit, Dibrës, Lezhës dhe Shkodrës u rriten me ritme më të ulëta se mesatarja kombëtare.
Në krahun tjetër qarku me rritjen më të madhe te shpenzimeve për familjeve gjatë se njëjtës periudhë rezulton Korça me gati 45%. Rajoni Juglindor është shembulli tipik se si politikat rajonale kanë ndikuan në zhvillimin e qëndrueshëm gjithëvjetor të turizmit. Me një kulture pune të admirueshme, Korça ka zhvilluar dukshëm bujqësinë dhe sidomos pemëtarinë, duke mbushur një hendek në tregun vendas, i cili më parë mbushej me import. Korça jo vetëm që furnizon me mollë , qepë dhe patate tregun vendas, madje edhe eksporton.
Në vitin 2021, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një familje në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 99.416 lekë në muaj.
Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 83.591 lekë dhe Fieri me 80.752 lekë në muaj për familje.
Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Kukësit me 71.636 dhe i Dibrës me 72.048 lekë në muaj për familje.
Në rang kombëtar rreth 41 për qind e buxhetit familjar mujor (34.934 lekë) shkon për plotësimin e nevojave ushqimore. Peshën më të lartë në shpenzimet ushqimore e kanë qumështi me nënproduktet e tij dhe vezë me 17,5%, “perimet” me 17,4 %, “mish dhe nënprodukte” me 16,2%, ndjekur nga “bukë dhe drithëra ” me 13,6 %./Monitor/