Thellohet ndarja në PD, Spaho i bashkohet Berishës nëpër ‘Foltore’

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, me anë të një postimi në rrjete sociale ka bërë me dije arsyet të cilat e shtyjnë atë që të mbështesë ‘Foltoret’ e Berishës në qytetet e Shqipërisë.

Ai tha se Paria Demokratike është  në një gjendje shumë kritike pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe zhvillimeve të mëvonshme.  Spaho shtoi se rruga e vetme për të dalë nga ky ngërç ku është futur Partia Demokratike është kolegjialiteti në vendimmarrje dhe veçanërisht dëgjimi i anëtarësisë

Postimi i plotë:

PD është në gjendje shumë kritike pas zgjedhjeve të 25 Prillit dhe zhvillimeve të mëvonshme. Bunkerizimi i Partisë është sëmundja më e rëndë që na ka zënë dhe për këtë fajtorë jemi të gjithë, ne që kemi drejtuar edhe më shumë.

Hapja e Partise, debati midis nesh, kolegjialiteti në vendimmarrje dhe veçanërisht dëgjimi i anëtarësisë janë rruga e vetme për të dalë nga kriza dhe shpëtuar PD-në.

Janë këto arsyet që më shtyjnë të mbështes dhe marr pjesë në “Foltoren” e organizuar në qytete të ndryshme të vendit.

Unë “Foltoren” nuk e përkrah për emocion, por për idetë, frymën e lirisë që shpërndan dhe kohezionin. PD është aset i çmuar, që më së pari i përket demokratëve të çdo niveli, të cilët duhet të ndihen të përfaqësuar.

Të nderuar miq,

Mandati i tretë në opozitë për fat të keq ka nisur sipas shprehjes “sezoni i ri, avaz i vjetër”.

Kemi nevojë për një platforme të mirëmenduar se si do ta mundim Edi Ramën në zgjedhje. Platforma nuk imponohet, ajo diskutohet me ata që do e zbatojnë dhe më pas miratohet në organet drejtuese të PD. E njëjta gjë vlen dhe duhet zbatuar edhe për reformat që synohet të ndërmerren.

Në këto kohë të vështira, PD më shumë se gjithçka, ka nevojë për lidership. Lidershipi duhet t’i dalë për zot sfidave, të mbrojë vendimet që merr dhe të jetë në krye të anëtarësisë për t’i çuar ata në fitore.

PD duhet të përmirësojë thellësisht organizimin e saj. Ne nuk mund të kthehemi në pushtet me degë pa kryetarë, me kryetarë pa ushtarë apo me ushtarë të lënë të demoralizuar, të braktisur apo të vetmuar nga humbja e 25 Prillit. Strukturat e PD nuk mund t’i thërrasim vetëm për zgjedhje të përgjithshme, vendore apo partiake.

Ne kemi nevoje të rikonceptojmë marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtare. Për këtë duhet të pranojmë gabimet që kemi bërë vitet e fundit. Miqësia me ta nuk mund të jetë konjukturale apo e interesave të çastit. Partia Demokratike u themelua nga themeluesit e saj si pro-amerikane, ka jetuar si e tillë dhe do të jetë edhe në të ardhmen 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *