Themelimi i PD në Durrës, Berisha: Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë sot në ceremoninë e 32-vjetorit të themelimit të PD në Durrës.

Gjatë fjalës së tij në ceremoni, Berisha u shpreh se Durrësi ka kontribut në ekzistencën e vendit. Më tej ai shtoi se Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar.

“Është një kënaqësi e madhe për mu t’ju përshëndes ju këtu, të përshëndes çdo qytetar të këtij qyteti të bekuar, të këtij qyteti të mrekullueshëm, të këtij qyteti që ka ndër kontributet më thelbësore në ekzistencën e këtij kombi dhe ekzistencën e këtij vendi. Themelimi i PD dhe vendosja e saj në krye, në udhëheqje të lëvizjes antikomunist, ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Cilido që rikthehet në atë kohë në memorien e tij, cilido që lexon sot për atë kohë, do të gjente se Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar.

Më 2 korrik, mijëra të rinj, me guxim epik, rrëzuan Murin e Berlinit në Tiranë. Por, në atë kryengritje paqësore, njeriu që luajti rol më kryesor ishte diplomati që kryente funksionet e ambasadorit gjerman, Verner Dol. Ai shkruan se qeveritë nuk ishin dakord, Shqipëria ishte parashikuar të mbetej siç ishte. Natyrisht ai nuk dëgjoi qeveritë, ai ishte një diplomat i madh, që bëri gjithçka që shqiptarët t’i mbështesë në atë kryengritje. Ju solla këtë episod për të treguar se në çfarë shkalle të mesme ishte izolimi i shqiptarëve dhe se çfarë rëndësie jetike pati revolucioni i udhëhequr nga PD. Ky revolucioni ishte i fundit në revolucionet e vendeve komuniste, por përsëri u zhvillua në kushtet e asnjë lloj mbështetje ndërkombëtare. Në dhjetor të vitit 1990, ambasadat ishin të mbyllura se po meremetoheshin. Ishte vetëm një ambasador, ai i Hungarisë.

Ne kishim vetëm idealet tona demokratike, vuajtjet e tmerrshme të të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Por këto nuk penguan që të ngriheshim fuqishëm ndaj një regjimi që ishte i dobësuar, por përsëri siç mund ta dini shumë prej jush, vriste pa mëshirë, të rinjtë në kufinjtë e Shqipërisë. Jo vetëm i vriste, por u kthye në praktikat e viteve ’50, ku zvarriste kufomat e viktimave për të ushtruar terror te qytetarët. Për të dëshmuar fytyrën e vërtetë. Por revolucioni ynë nuk ndalet. Me një vendosmëri absolute, demokratët e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, vazhduan betejën e tyre, derisa përzunë me votën e lirë, diktaturën më staliniste të Europës”, tha Berisha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *