Një palë këpucë të Lionel Messit, janë blerë në ankand për një shifër të majme, të cilat do të shkojnë në një spital. Lionel Messi ka një listë të pafundme rekordesh, por një nga më të mëdhatë është ai i golashënuesit më të mirë të historisë për një klub të vetëm.
Ylli argjentinas, Lionel Messi theu më 22 dhjetor të vitit 2020, rekordin e golave të shënuara me fanellën e një klubi të vetëm. Këpucët me të cilat ai shënoi golin legjendar, i ka dhuruar për bamirësi, teksa menjëherë dolën në ankand.
Shtëpia e mirënjohur e ankandeve “Christie’s”, arriti t’i shesë këpucët e yllit të Barcelonës. Ai theu rekordin e golave të realizuar, rekord i mbajtur më parë nga braziliani legjendar Pele.
Këto këpucë u blenë në ankand për 125.000 paund, dhe të ardhurat nga shitja e tyre do të shkojnë në spitalin universitar “Vall d’Hebron” në Barcelonë.