Thirrja e origjinës/ “Të rikthyerit” që po investojnë në vendlindje

Berati mund të befasojë këto ditë këdo që e viziton, sidomos nëse je nisur nga Tirana me idenë se sezoni turistik nuk ka nisur plotësisht.

Sigurisht teksa fillon të ecësh në rrugët e qytetit konstaton në dritaret apo dyert e ndonjë biznesi atë shkrimin tipik të këtyre kohëve që e has kudo në Shqipëri:

“Kërkohet kamerier, banakier, sanitar” e të tjera profesione. Por si për çudi, ajo që nuk mungon është ritmi që sheh në qytet. Lokale e biznese aktivë, qepena që janë kudo ngritur, kantiere të hapur në rrugë ku është duke u punuar, tek-tuk edhe turistë të huaj, të etur për pjesën historike.

Qyteti i “një mbi një dritareve” sot mbetet një mundësi e hapur turistike në çdo stinë dhe bizneset që kanë zgjedhur të operojnë në këtë sektor janë jo të pakta.

Janë vendasit që nuk e braktisën kurrë qytetin.

Megjithatë, një tendencë tjetër, edhe pse modeste, po gëlon në rikthimet e atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Eneida dhe motra e saj, prej vitesh jetojnë në Itali, por thirrja e vendlindjes ishte më e fortë. Po punojnë fort që në Berat të hapin një restorant si mall, por edhe nderim i gjyshërve të tyre.

“Mjedisi ku po hapet restoranti është shtëpia e gjyshërve. Për të nderuar emrin e tyre, ne vendosëm ta rikonstruktojmë dhe ta hapim. Kemi vendosur ta emërtojmë pas gjyshes, siç e njohin të gjithë ‘Zonja Gjena’.

Jetoj prej 33 vitesh në Itali dhe djali im Kristian ka lindur në Itali, por herë pas here e ka vizituar Shqipërinë. Pasi mbaroi gjimnazin kërkoi që të mësonte gjuhën shqipe, gjuhën e nënës.

Erdhi në Tiranë ku studioi menaxhim biznesi dhe njëkohësisht mësoi dhe gjuhën”, – tregon Eneida.

Tashmë Kristiani, edhe pse i lindur në Itali, i është përkushtuar plotësisht planit të biznesit në Berat që nëna dhe tezja e tij e duan aq shumë dhe prej vitesh e diskutonin me njëra-tjetrën. Vendimi për të bërë diçka lindi që në vitin 2017.

“Kristiani ka dashuri të veçantë për Shqipërinë dhe sidomos për Beratin, sepse njerëzit këtu i duken më të dashur, më të ngrohtë, ndaj është përkrahës i kësaj sipërmarrje.

Për momentin do të angazhohemi vetëm me restorantin, por në të ardhmen mund të ketë zgjerim.

Ne kemi të afërmit tanë po aty që, edhe pse jetojnë në Greqi, e kanë menduar që të krijojnë diçka me ‘bed and breakfast’ (fjetje dhe mëngjes).

Me menaxhimin do të merret djali, por edhe ne si motra do të angazhohemi gjatë vitit që të kujdesemi për këtë biznes”, nënvizon ajo.

 

Nga kryeqyteti drejt qyteteve të lindjes

Rikthimet nga emigrimi nuk janë të vetmet që po shkojnë kundër rrymës, edhe pse këto janë raste sporadike.

Ka edhe nga ata që pas një jete të ndërtuar në kryeqytet po rikthehen në vendin e lindjes duke investuar. Alfred Ceca dhe bashkëshortja e tij të cilët prej vitesh jetonin mes Tiranës dhe Beratit kanë vendosur të investojnë në turizëm.

“Unë punoj në arsim dhe gjatë javës jam në Tiranë, por në fundjavë shkoj në Berat. Bashkëshorti është më i angazhuar me hotelin dhe është zhvendosur aty”, – na pohon zonja Ceca. Hotel ‘Beratino’ lindi ndoshta në periudhën më të vështirë të mundshme, atë të COVID-19 por gjithçka po ecën mirë.

“Është një ndërtesë ekzistuese në Mangalem, por është rijetëzuar dhe është kthyer në një hotel të vogël me 7 dhoma dhe një ambient ndenje, kuzhinë për mëngjesin dhe verandën apo çardakun siç i themi ne”, thotë znj. Ceca.

Z. Ceca e bleu ndërtesën disa kohë më parë. Ishte dëshira e tij të jetonte në Berat. Ata u zhvendosën në Tiranë në vitin 1997 por gjithmonë me idenë që të kishin një shtëpi.

Në Tiranë u angazhuan njëri në aktivitet privat e tjetri në arsim, por pa harruar thirrjen e vendlindjes që së fundmi u dha forcën për të marrë një rrugëtim të ri. Por a e shohin ata si ide të mirë këtë investim që ende është në fillesa.

“Mendoj se është një ide, sepse turizmi ka ardhur duke u rritur si nga vizitorët vendas, edhe nga të huajt. Ne e kemi rijetëzuar për ta bërë këtë ndërtesë sa më komode, por duke ruajtur traditën për punimet në gur dhe dru, e cila shihet interesante nga vizitorët.

Sigurisht gjatë dimrit është pak e vështirë ta mbash hapur hotelin pasi frekuentimet janë në fundjavë, por sapo vjen marsi e më pas prilli e maji, numri i vizitorëve rritet gradualisht.

Kulmi arrin në korrik-shtator, kur ka edhe numër më të madh të huajsh dhe të vendasve që vijnë nga diaspora”, na pohon znj. Ceca.

Ajo sjell në vëmendje se gjetja e punonjësve dhe sidomos atyre që flasim mirë gjuhë të huaj është sfidë, por deri më tani ia kanë dalë.

 

Voskopoja, një tjetër destinacion që po sheh rikthime

Panajot Falo u largua drejt Greqisë kur ishte 23 vjeç së bashku me bashkëshorten dhe për 28 vjet ndërtuan jetën e tyre në ishullin grek Zakynthos.

I angazhuar në verë në sektorin e turizmit dhe jashtë tij, në ndërtim për punimet e veçanta në gur, dikur i qëndronte stoik vendimit për të mos u kthyer kurrë në Shqipëri.

Sot është një nga “mikpritësit” e turistëve të shumtë në Voskopojë, ku prej më pak se tre vitesh ka kthyer shtëpinë e prindërve në hotel dhe nuk është penduar aspak për këtë vendim.

Megjithatë, rrugëtimi nuk ka qenë aq i lehtë në fillim, sidomos kur gjithçka e ke nisur në kohën e pandemisë.

“Pavarësisht vështirësive që ka një biznes në hapat e parë, mendoj se e kemi përballuar mirë dhe nuk jam penduar që jam kthyer në vendin tim. Ka qenë vendimi i duhur sepse shoh potencial në Voskopojë dhe mundësitë që ofron si një vend turistik nuk janë të pakta.

Kur vija këtu shihja që kishte turistë, gjallëri dhe në këndvështrimin tim ia vlente të investoje.

Dimri është një sezon shumë i mirë për Voskopojën, madje sezoni që lamë pas ishte shumë i mirë. Klientela është rritur nga viti në vit, ndërkohë që interesi nuk mungon as nga të huajt, edhe pse shqiptarët janë kryesorët për ne”, – pohon z. Falo.

Aktualisht në biznes është i angazhuar ai dhe bashkëshortja, teksa fëmijët të rritur në Greqi e kanë ndërtuar jetën larg Shqipërisë.

Por ai nuk e përjashton mundësinë që edhe ata të kthehen një ditë në vendin e tyre. Ky duket një skenar i largët, për aq kohë sa vajza është e punësuar në një universitet në Athinë, ndërsa djali studion mjekësi në Angli, por asnjëherë nuk e kanë mbyllur plotësisht si mundësi.

“Kur do të bëja investimin, pyeta djalin edhe për atë sesi e mendon ai jetën dhe të ardhmen, pasi kjo është dhe pronë e tyre dhe më ka thënë shprehjen: Kurrë mos thuaj kurrë. Dhe ka shumë të drejtë. Kur ika nga Shqipëria isha 23 vjeç dhe thosha që nuk shkel më në atë vend. Por ja që kohët dhe mendimi ndryshon. U ktheva e jam këtu. Ndoshta do të vijë dita që edhe ai të kthehet” nënvizon ai.

Sa i takon emigrimit, z.Falo thekson se dikur emigracioni ishte e vetmja mundësi për të punuar dhe për të krijuar disa kursime. Sot nuk është më si dikur, pasi taksat dhe kostot e jetesës kudo janë rritur./MONITOR

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *