Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka përsëritur edhe njëherë thirrjen për bashkëpunim, teksa u shpreh që dora do të vazhdojë të jetë e shtrirë, por se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe nga pala tjetër.
Në një komunikim me gazetarët pas përfundimit të mbledhjes me deputetët e tij, ai theksoi se qëndrimi i tyre është i qartë, që të bashkojnë të gjithë demokratët dhe shqiptarët e pakënaqur me qëllim që të përmbysin pushtetin.
Më tej, Alibeaj u shpreh se në datën 20 do të miratohen kandidaturat për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiakë.
“PD nuk është e imja, nuk është e askujt me emër nominal, por PD është e të gjithë demokrateve që kanë vendosur sakrificën e tyre tek ajo logoi dhe sistem vlerash që PD mbart. Tek PD bëjnë pjesë të gjithë ata, edhe ata që mendojnë ndryshe. Qëndrimi që kemi mbajtur është bërë i qartë për shumë kohë dhe për shumë optika dhe këndvështrime. Shqipëria shkon në zgjedhje, zgjedhjet nuk janë të partive politike, janë për qytetarët. Sidomos në këtë situatë kaq të rëndë ekonomike, të mungesës së shtetit të së drejtës, të shpopullimit masiv, interesi primar është interesi i qytetarëve. PD ka këtë interes dhe në funksion të këtij interesi do bëjë gjithçka për të bërë bashkë shqiptarët e pakënaqur në mënyrë që më 14 maj të bashkojmë forcat dhe për ti bërë ballë këtij regjimi, qoftë në pushtetin qendror, por edhe lokal.
Ka qenë ky frymëzimi dhe është ky orientimi që ne i qëndrojmë dhe kështu do vazhdojmë edhe në të ardhmen. PD duke ristabilizuar veprimtarinë e saj të strukturave të saj. Ajo që dua të komunikoj është që në datën 20 do ketë mbledhje të shpeshta të kryesisë dhe grupit parlamentar për të miratuar kandidaturat e PD, qoftë për këshilltar qoftë për këshilltarë. Dora ka qenë e shtrirë edhe më parë, edhe para vendimit të gjykatës, edhe pas vendimit të gjykatës edhe në këtë kohë. Që dora e shtrirë të shtrëngohet, do të duhet që edhe nga ana tjetër të ndodhë e njëjta gjë. Në i qëndrojmë këtij pozicioni”, tha Alibeaj.