Kryeministri Edi Rama, në replikën e tij të zgjatur me Lulzim Bashën, kësaj radhe për inceneratorët, u shpreh se është i bindur që “me ndërtimin e inceneratorëve është bërë hap i madh përpara për ta pasur Shqipërinë një vend të pastër, por patjetër që ato investime janë bërë pikërisht për të mos lejuar që të vazhdojë të ushqehet kanceri që latë ju kudo në vend, pranë lumenjve e tokave”.
“Bashkitë sot kanë në dispozicion inceneratorët ose landfillet e investuara dhe që sigurisht që janë të detyruara që mbetjet t’i çojnë atje, që të mbyllet historia e helmit në mjedis dhe historia e abuzimit me sasitë e mbetjeve. Ti e di shumë mirë këtë sepse je marrë me Sharrën për një kohë të gjatë. Prandaj, përqendrohu kur flet”, deklaroi kryeministri.
Rama i kujtoi Bashës edhe fjalën “llum”:
“Më flet mua për llum tranzicioni dhe tani thua që edhe PD-ja ka pjesën e vet të llumit. Unë këtë fjalë nuk e kam përdorur as për PD-në, sepse është fjalë e madhe, por nëse PD-ja ka llum, ajo pjesë e llumit të ka nxjerrë ty. Ti je pjesa më e brilantinosur e atij llumi”.
“Të lutem, mos na ço gjuhën aty ku të dhemb dhëmbi ty. Kur thua ti që dua apo nuk dua, do të të kem përballë ty, të them se unë pikërisht ty të dua përballë. Të kam dashur, të dua dhe do të të dua gjithmonë. E kam seriozisht, sepse dua që të ngremë nivelin këtu. Sepse ti vjen këtu duke lexuar abetaren që të ka mësuar llumi. Mos ji karikatura e llumit. Ti duhet të provosh se megjithëse ai llum të nxori në krye, ti duhet të jesh diçka tjetër sot, duhet të rilindësh. Ndërvepro këtu me gjuhën e fakteve. Nuk ka nevojë as të shpifësh, as të akuzosh dhe as të kriminalizosh dynjanë me fakte. Kjo është opozita”, u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri theksoi se është gati që të diskutojë vetting-un në politikë: “E kuptoj ku e ke hallin me vetting-un tënd, është gjë e lodhur, por hajde ta diskutojmë me ekspertët tuaj dhe tanë. Nëse na del se kjo nismë është shpëtimtare për vendin, do ta votojmë”.
Basha vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet, ekonominë, varfërinë, vetingun në politikë dhe largimin e të rinjve jashtë vendit. Në replikën e radhës me të, Basha tha se raportet e ODIHR e kanë cilësuar kryeministrin shqiptar si Lukashenkon e Ballkanit dhe prandaj kërkon aleancë me Berishën dhe Metën.
“Asgjësimi i ndryshimit përmes patronazhistëve, shkrirja e shtetit me partinë, abuzimi me fondet e tërmetit dhe pandemisë, abuzimi me burime njerëzore, fryrja me 12 mijë anonimë, që ishin patronazhistë, shkatërrimi i rregullave të konkurrencës në treg. Këto janë konstatime të ODIHR që të kanë vënë vulën ty si Lukashenko i Ballkanit. Po Shqipëria nuk kthehet në Bjellorusi dhe nuk të pranon as ty, askënd të qeverisë së vendit si Lukashenko, po kërkon dëshpërimisht aleatë. Brenda shtëpisë tënde të ka ngelur një grusht, tek oligarkët më pak, tek ata që të dalin zot me kobure në xhep ka filluar t’iu rrëshkasë toka nën këmbë, edhe aty kopaçja do të kërcasë nuk i mbron dot as Veliu dhe as zëvendësuesi i tij. Përpjekja për të ndërtuar aleancë të pashenjtë me Trekëndëshin e Bermudës që të del nga barku sa herë që s’ke argumente, do të dështojë po ashtu”.
Për Bashën, kryeministri Rama ka vetëm një rrugë të tregojë pendesë për këto 8 vite qeverisje dhe të dalë në opozitë në të mirë të shqiptarëve.
“Ti ke vetëm një mënyrë; të pranosh që ke 8 vjet që e mban vendin peng të egos tënde të sëmurë. Të kërkosh ndjesë për jetët e humbura, për të rinjtë e larguar, për shpresën e vrarë, për ekonominë e rrënuar. Të tregosh pendesë për asgjësimin e themelit të bashkëjetesës demokratike që janë zgjedhje të lira e të ndershme. Të heqësh duart nga fyti i SPAK, të votosh vetingun në politikë dhe të lejosh që PS e marrë peng në bodrumet e oligarkisë të konkurrojë ndershëm me PD-në në një fushë beteje të barabartë, me përplasje idesh, vizionesh e programesh dhe si fillim të pranojë të paevitueshmen; daljen në opozitë si interesi më i mirë i shqiptarëve dhe pastrimi nga llumi i kriminelëve me të cilët ke ardhur dhe mban pushtetin”.
Kreu demokrat e akuzoi Ramën edhe për kontratat koncesionare të sjella në Kuvend, ndërkohë që nuk pranon uljen e TVSH-së për shqiptarët.
“Ndërkohë që me propozimin që keni sjellë këtu prapë se prapë keni propozuar që t’ju merrni para shqiptarëve për 7 kontrata koncensionare me vlerë 2 mld dollarë, PPP klientëve tuaj dhe nga ana tjetër thoni që s’keni ku gjeni paratë për të zbritur TVSH-në e ushqimeve nga 20% në 6% me kosto totale për buxhetin, 150 mln euro, për të ulur kostot e bukës, vajit sheqerit, të familjeve që ti viziton dhe shumica hanë vetëm njëherë në ditë. Ke sjellë prapë 7 kontrata koncesionare me vlerë 7 mld euro. Ky je ti, tjetra është fasadë, që këto fjalë të shuhen dhe SPAK të bëjë sikur nuk na ka dëgjuar dhe parë dhe ti e banda jote të vjedhësh dhe ky është plani yt. Të vjedhësh shqiptarët pastaj t’iu vjedhësh dhe votën nuk është thjesht ves, por krim që duhet ndëshkuar”
/Priza.al/