‘TikTok’ njoftoi se do të ndalojë videot që nxisin nxirjen e trupit dhe do të shtojë përmbajtje edukative pas alarmit nga ekspertët australianë për postimet pro-nxirjes së trupit.
Në shtator, drejtuesit e Melanoma Institute Australia (institut për kancerin e lëkurës), Prof. Georgina Long dhe Prof. Richard Scolyer, folën hapur për rrezikun e postimeve në ‘TikTok’ dhe trendet që nxisin nxirjen e trupit, si sfida #sunburnchallenge.
Postimet ku inkurajohen njerëzit të postojnë trupin me shenjat e diellit kishin më shumë se 200 milionë shikime. ‘TikTok’ njoftoi se ka nisur një fushatë me qëllim edukimin e përdoruesve. Në çdo foto/video për nxirjen e trupit, do të shfaqet një poster informues për rrezikun e këtyre praktikave.
Fushata, e cila synon të ketë ndikim te njerëzit nga 20 deri në 39 vjeç, do të heqë gjithashtu “përmbajtjet shqetësuese” që lidhen me aktivitetet “e rrezikshme” të nxirjes, duke përfshirë hashtagun #sunburnchallenge, i cili ka më shumë se 8.4 milion shikime në mbarë botën. Ky trend inkurajon njerëzit të postojnë video të djegies së trupit nga dielli, me flluska, vija të dukshme në lëkurë etj.
Melanoma është kanceri më vdekjeprurës i lëkurës. Shkalla e diagnozës së sëmundjes është rritur në mënyrë dramatike gjatë tre dekadave të fundit, duke tejkaluar pothuajse të gjitha llojet e tjera të kancerit. Ekspozimi i pambrojtur ndaj diellit është një nga shkaqet kryesore të kancerit të lëkurës.