Së fundmi, rrjeti social ‘TikTok’ ka bërë të ditur se ka fshirë më shumë se 113 milion video midis muajit prill dhe qershor të këtij viti, sipas raportit tremujor të kompanisë. Video të shumta janë hequr për shkelje të rregullave të përdorimit, por kjo është vetëm një përqindje e vogël në krahasim me sasinë e përmbajtjes që publikohet në ‘TikTok’. Më saktësisht, 113 milionë video përfaqësojnë vetëm 1% të numrit total të publikuar gjatë tre muajve.
Arsyeja më e zakonshme për heqjen e një videoje është shkelja e rregullave që lidhen me sigurinë e të miturve, që është pak më pak se 44% e videove të hequra. Arsyet e tjera të shpeshta janë aktivitetet e paligjshme dhe mallrat e rregulluara, si dhe aktivitetet seksuale. Një numër në rritje i videove në ‘TikTok’ po hiqen nga sistemet e automatizuara të platformës, me rreth 48 milion të hequra tremujorin e kaluar. Gati 96% e videove në periudhën tre mujore u hoqën përpara se përdoruesit t’i raportonin ato në ‘TikTok’.
Kompania tha se përdor mjete të automatizuara dhe analiza njerëzore kur shqyrton përmbajtje që mund të shkelin kushtet e përdorimit. Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, ‘TikTok’ “luftoi” me përmbajtje luftarake mashtruese dhe të rreme që u shfaqën masivisht në platformë, duke ndaluar përfundimisht videot nga Rusia dhe duke futur etiketimin e mediave shtetërore. Përpara zgjedhjeve në SHBA në nëntor, ‘TikTok’ njoftoi se po ndalonte mbledhjen e fondeve për qëllime politike dhe kërkonte që profilet e qeverisë, politikanëve dhe partive politike të aplikonin për verifikim.