Mbrëmjen e djeshme kryeqyteti u trondit nga dy ngjarje të rënda, ku protagonistë ishin efektivët e policisë.
Shtetasi Murteza Lika u plagos rëndë nga efektivi i FNSH-së Lutfi Gjyla jashtë një lokali, në rrugën “Llazi Miho” në Kombinat. Nga ana tjetër ngjarja më e rëndë ishte ajo që ndodhi brenda komisariatit nr 3 ku polici Ludian Zaimi plagosi kolegun e tij, 55-vjeçarin Çaush Saliasi, i cili humbi jetën në spital.
Mësohet se, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ngritur dy grupe të posaçme hetimore për zbardhjen e këtyre ngjarjeve të rënda, si dhe hetimet do të drejtohen nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Njoftimi i Plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranës ka ngritur dy grupe të posaçme hetimore për zbardhjen e ngjarjeve ku janë të përfshirë punonjës policie. Pas ngjarjes, ku punonjësi i policisë Inspektor L.Z., 25 vjeç, në rrethana ende të paqarta, ka plagosur me armën e shërbimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, kolegun e tij, inspektor Ç.S., 55 vjeç, i cili pas dhënies së ndihmës së parë ka ndërruar jetë në spital. Grupi i posaçëm hetimor nga AMP ndodhet aktualisht në ambientet e Komisariatit Nr. 3 në Tiranë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.Për ngjarjen e ndodhur në territorin juridiksional të Komisariatit të Policisë Nr. 6 (Kombinat) ku punonjësi i policisë L.GJ., 48 vjeç, me detyrë trup shërbimi në Njësinë Operacionale të Ndërhyrjes së Shpejtë, në gjendje të dehur dhe për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri shtetasin M.L., 64 vjeç, grupi i posaçëm hetimor është duke kryer të gjitha veprimet proceduriale me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. Punonjësi i policisë është i shoqëruar në ambjentet e komisariatit për t’ju nënshtruar veprimeve hetimore.