Ensi Maze, bashkëpunëtor në vrasjen me thikë të 20-vjeçarit, Stiven Toshkësi, ka dalë ditën e sotme para gjykatës. Ndaj tij do të caktohet masa e sigurisë për ngjarjen e ndodhur më 19 prill.
Vrasja e 20-vjeçarit ndodhi në Rrugën ‘4 Dëshmorët’ në kryeqytet, pranë gjimnazit “Partizani”.
Toshkesi u qëllua me thikë pas sherrit për një vajzë dhe nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
Ai u plagos nga dy të rinjtë Ensi Maze dhe Axel Hoxhaj, të dy 18 vjeç. Maze, i pari që përfundoi në pranga menjëherë pas ngjarjes ka deklaruar se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me viktimën, por ishte vënë në dijeni të konfliktit nga shoku i tij, Axel Hoxhaj. Ky i fundit u vetëdorëzua një ditë më parë në Polici, falë ndihmës së familjarëve.
Maze ka shtuar se ka pak ditë që është kthyer nga Holanda ku është edhe me studime. E këto ditë kishte takuar edhe shokun e tij që i kishte rrëfyer për konfliktin që kishte me viktimën, ndërsa pretendonte se ky i fundit e kishte rrahur.