Një 57-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.
Shtetasi me iniciale S.D., akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Mësohet se 57-vjeçari nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për t’u shoqëruar në komisariat.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Ndërhyrja”.
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, u parandalua një ngjarje e mundshme kriminale në familje.
Vihet në pranga 57-vjeçari që ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes dhe e kanosi atë me armë gjahu.
Gjatë ndërhyrjes, 57-vjeçari ka kanosur edhe punonjësit e Policisë, me armën e gjahut.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit se në rrugën “Sabaudin Gabrani”, një shtetas po ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e kishte kërcënuar me armë gjahu, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërhyrja”.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– S. D., 57 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Mbrëmjen e djeshme, shtetasi S. D. ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe e ka kanosur atë me armë gjahu (çifte). Në momentin që kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ky shtetas, ka kanosur me çifte, për shkak të detyrës, edhe punonjësit e Policisë. Pas neutralizimit të tij, 57-vjeçari nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për t’u shoqëruar në komisariat.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut (çifte).
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.