Një punonjës i “Shqiponjave” ka parandalur dje një ngjarje që mund të përfundonte me një bilanc tragjik. Ai është ndodhur rastësisht në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ku ka ndërhyrë duke neutralizuar një 39-vjeçar, i cili ka tentuar të godasë me mjetin e tij një person dhe bashkëshorten e tij shtatzënë.
Ngjarja ka ndodhur mes dy personave në bulevardin “Migjeni”, ku pas një sherri fizik mes tyre, 39-vjeçari Taulant Mekollari, ka hipur në makinën e tij dhe ka tentuar të godasë me mjetin e tij shtetasin G. M., dhe bashkëshorten e tij shtatzënë. Fatmirësisht, kjo ngjarje është parandaluar nga një punonjës i “Shqiponjave” që ndodhej rastësisht aty, i cili ishte i veshur civil. Ky i fundit ka ndërhyrë menjëherë duke nxjerrë armën nga brezi dhe neutralizuar 39-vjeçarin, ndërsa më pas arrestimi i tij është bërë nga policët e komisariatit nr.6, të cilët ishin njoftuar për konfliktin.
Por si ka ndodhur konflikti mes palëve, që degradoi në këtë formë?
39-vjeçari Taulant Mekollari dhe shtetasi me inicialet G. M. fillimisht kishin debatuar për motive të dobëta në rrugën “Besim Alla”. Më tej, tek bulevardi “Migjeni” ishin konfliktuar përsëri me grushte me njëri-tjetrin. Pas konfliktit, Mekollari ka marrë mjetin e tij dhe ka tentuar dy herë të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij, por pasi nuk ia ka arritur qëllimit, ka dëmtuar më pas mjetin e shtetasit G. M.
39 vjeçari do të përballet me veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me dashje‘’dhe “Plagosja e lehtë me dashje’’. Gjithashtu po procedohet në gjendje të lirë shtetasi G. M., 36 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje’’.