Një person është arrestuar dhe një tjetër është proceduar në kuadër të operacionit policore të koduar “Premtuesi”.
Shtetasi K.A 52 vjeç u vu në pranga dhe shtetasi A.D 61 vjeç u procedua në gjendje të lirë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, komunikonin për shit-blerje votash për një subjekt politik.
Dy personat janë shfaqur në një video, duke komunikuar me njëri-tjetrin, për shit-blerje votash.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Premtuesi”.
Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe procedohet penalisht një tjetër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, komunikonin për shit-blerje votash për një subjekt politik.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e çdo paligjshmërie, bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet një shtetas që komunikon për shit-blerje votash, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi”.
Si rezultat, u bë arrestimi i shtetasit K. A., 52 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 61 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas janë shfaqur në një video, duke komunikuar me njëri-tjetrin, për shit-blerje votash për një subjekt politik.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.