Alidon Marqeshi, 34-vjeç është vënë në prangat e policisë së Tiranës pasi gjatë kontrolleve i është gjetur kokainë në makinë.
Më pas gjatë verifikimeve policia ka zbuluar se i riu ishte shpallur në kërkim nga autoriteteve gjermane për një vrasje të ndodhur në vitin 2017.
Në atë kohë 34-vjeçari ishte konfliktuar me një tjetër shqiptar në qytetin e Ulm dhe e ka qëlluar me sende të forta duke i shkaktuar vdekjen.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës arrestuan shtetasin A. M., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Më datë 11.06.2023, rreth orës 20:40, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin A. M. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur këtij shtetasi, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e ULM/Gjermani, e cila ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryerjen e veprës penale “Vrasja e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.
Shtetasi A. M., në vitin 2017, në qytetin e Ulm, Gjermani, është konfliktuar me shtetasin shqiptar Xh. M., të cilin e ka qëlluar me sende të forta, duke i shkaktuar vdekjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.