Dy vëllezër janë arrestuar ditën sotme nga policia pasi u kapën duke shpërndarë lëndë narkotike.
Në pranga kanë rënë, D. M., 25 vjeç dhe B. M., 29 vjeç (vëllezër).
Policia gjithashtu bën me dije se gjatë operacionit janë sekuestruar doza kokaine, një peshore elektronike dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Tabacchino”, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6.
Shpërndanin doza të lëndës narkotike kokainë, në një tabakino, vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër).
Sekuestrohen doza kokaine, një peshore elektronike dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore disajavore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Tabacchino”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-D.M., 25 vjeç dhe B. M., 29 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në subjektin “Tabacchino” që administronin dy vëllezërit, në rrugën “Kasem Shima”, dhe gjatë kontrollit të banesës së tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 40 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, gati për shitje, peshore elektronike dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike kokainë, e ndanin atë në doza, të cilat i shisnin në subjektin që administronin dhe në zonën e Mëzezit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.