Policia e Tiranës ka vënë në pranga tetë shtetas në orët e fundit, të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Sipas njoftimit të bluve, mes të arrestuarve janë shtetas të cilëve iu gjetën lëndë narkotike, apo që dyshohen për vjedhje, zjarrvënie të një automjeti.
Të arrestuarit janë banues në kryeqytet, nga mosha 19 deri në 49 vjeç. Policia bën me dije se njëri prej tyre është arrestuar pasi po drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.
Njoftimi i plotë:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit:
– K. S., 19 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
– A. C., 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjetën sasi të vogla lëndësh të dyshuara narkotike të llojeve kokainë, heroinë dhe kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasin E. V., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se i ka vjedhur aparatin celular shtetasit R. G.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit:
– E. T., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Mustafa Qosja”, i ka vënë zjarrin automjetit në pronësi të shtetasit A. D.;
– B. R., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka thyer xhamin e automjetit të shtetasit A. K. dhe ka vjedhur një pajisje;
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin E. B., 24 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një dorezë metalike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin E. P., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një shufër metalike si ato të Policisë.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin N. Gj., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.