Tiranë/ Vidhte ora dhe flori, i shiste bizhuteritë tek zona e “Dollarit”, arrestohet 39 vjeçari (Emri)

Shtetasi Glodian Dervishi 39-vjeç është arrestuar në flagrancë nga policia e Tiranës, pasi akuzohet se vidhte bizhuteri dhe sende me vlerë nëpër banesa.

Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i zhvilluar “Gold”.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Vidhte bizhuteri dhe sende me vlerë në banesa, vihet në pranga 39-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Sekuestrohen 11 ora dhe bizhuteri të tjera floriri, që dyshohen se janë vjedhur nga ky shtetas.
Procedohet penalisht dhe pronarja e një argjendarie, e cila përvetësonte dhe shiste bizhuteritë e vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Gold”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 39 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë po për këtë vepër penale.
Shtetasi G. D. është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Dollari”, duke shitur bizhuteri të cilat i kishte vjedhur në banesën e shtetasit S. R.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas kryente vjedhje në banesa, në zonën e Kombinatit, Paskuqanit dhe në zona të ndryshme të Tiranës dhe më pas sendet e vjedhura i shiste në vendin e quajtur “Dollari” dhe në një argjendari në Kamzë.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronarja e argjendarisë në Kamzë, shtetasja N. Z., 58 vjeçe, banuese në Kamzë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.
Gjatë kontrollit, shtetasit G. D. iu gjetën 11 ora të dyshuara të vjedhura, ndërsa shtetases N. Z. iu gjetën 5 unaza dhe 2 varëse floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me orat.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *