Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohen se kanë vjedhur dy herë të njëjtën banesë. Në kuadër të operacionit të koduar, “Two times” u vunë në pranga një 25 vjeçar dhe një 22-vjeçar, të dy banues në Kombinat.
Sipas policisë, dy të rinjtë kanë vjedhur bizhuteri të ndryshme floriri dhe shumën 1 000 000 lekë të rinj, në banesën e një shtetasi, në Sharrë.
Njoftimi i policisë:
Vodhën dy herë në të njëjtën banesë, gjatë javës së fundit, 1 000 000 lekë të rinj dhe bizhuteri floriri, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen disa nga bizhuteritë e vjedhura dhe një palë doreza të përdorura nga autorët gjatë dy vjedhjeve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, si dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Two times”. Si rezultat u bë arrestimi i shtetasve L. H., 25 vjeç dhe R. Xh., 22 vjeç, të dy banues në Kombinat, Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datat 15.05.2023 dhe 18.05.2023, kanë vjedhur bizhuteri të ndryshme floriri dhe shumën 1 000 000 lekë të rinj, në banesën e një shtetasi, në Sharrë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa prej bizhuterive që dyshohet se janë vjedhur në këtë banesë, si dhe një palë doreza që dyshohet se autorët i kanë përdorur gjatë dy vjedhjeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.