Një tjetër zjarr ka rënë gjatë natës në qytetin e Vlorës. Dy furgona mallrash dhe një makinë janë djegur në lagjen “24 Maji” rreth orës 02:00. Mjetet kanë qenë të parkuara dhe sipas policisë janë në pronësi të tre personave të ndryshëm.
“Rreth orës 02:00, në lagjen “24 Maji”, ka rënë zjarr dhe janë djegur tre automjete të parkuara, në pronësi të shtetasve D. S, Z. K dhe Y. I”, njoftoi policia.
Njëri nga shtetasit e përmendur në njoftimin e policisë rezulton të jetë biznesmeni Samir Kormuzi, i cili dyshohet se përdorte të treja këto mjete në funksion të biznesit të tij. Lidhur me ngjarjen ka ardhur dhe një reagim nga bashkëshortja e biznesmenit, e cila ne një postim në rrjetin social “Facebook” është shprehur se “ujqërit” e natës u bien në qafë personave që punojnë me djersën e ballit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit, teksa vetë biznesmeni Kormuzi ka hedhur dyshimet se zjarrvënia lidhet me konkurrencën. Ngjarja vjen vetëm tre ditë pas djegies së makinës “Porche”, po në qytetin e Vlorës.