Vazhdon operacioni për egzekutimin e urdhër arresteve të Prokurorisë së Sarandës në kuadër të operacionit të sotëm, ku janë lëshuar urdhër arreste për zyrtarë dhe qytetarë në lidhje më tjetërsimin e rreth 10 mijë m2 tokë publike në Sarandë
Një nga të arrestuarit si përfitues është Fredi Merkuri, 61-vjeç, i cili punon pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve në Bashki. Mësohet se emër të tij në korrik të vitit 2020, është lëshuar një certifikatë pronësie nga Hipoteka e Sarandës për një truall 1500 m2.
Po ashtu përfituese rezulton edhe Argondia Caraj, 57-vjeçe, si dhe Viktor Llomi, të dy këta persona janë tregtarë.
Bëhet e ditur se këta persona realizonin dokumente të falsifikuara, që tregonin se këto prona i kishin përfituar nga Bashkia me vendim të Këshillit Bashkiak dhe më pas i regjistronin në Hipotekë.
Hipotekimet janë bërë në vitin 2020, më pas Hipoteka i dërgon shkrese Bashkisë që të verifikojë dokumentacionin e këtyre personave brenda 1 muaji, dhe nëse Bashkia nuk kthen përgjigje, Hipoteka e regjistron automatikisht.
Kjo ka ndodhur edhe në këtë rast, ku Bashkia nuk i ka kthyer përgjigje Hipotekës, duke i hapur rrugë kësaj të fundit për të regjistruar këto prona.
Në këtë mënyrë janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetas të ndryshëm rreth 10.000 m2 truall. Dokumentacioni në lidhje me këto prona ka më shumë se një vit që është sekuestruar nga Prokuroria, madje ASHK i ka bllokuar ato si prona, por duket se për t’u finalizuar hetimi, është dashur ardhja e prokurorit Kledian Llaho.