Tkurret popullsia e Tiranës, në 2022 u shënua 10% rënie e lindjeve

Tirana përgjatë tre dekadave të fundit është shndërruar në një qendër të gravitetit demografik, pasi vit pas viti mijëra njerëz zhvendosen nga qytetet e tjera drejt kryeqytetit.

Maturimi i migracionit të brendshëm në dekadën e fundit dhe nga ana tjetër një cikël i ri i emigracionit jashtë po tkurr edhe popullsinë e Tiranës dhe kjo po reflektohet në numrin e lindjeve.

Të dhënat zyrtare tregojnë se popullsia e qarkut të Tiranës është rritur vit pasi viti, pavarësisht se normat e rritjes janë reduktuar vitet e fundit, por nga ana tjetër numri i lindjeve është në rënie të shpejtë

Vitin e kaluar sipas të dhënave të INSTAT në Tiranë linden vetëm 8427 bebe me një rënie 10 për qind në raport me vitin 2021. Rënia e lindjeve ishte më e larta e raportuar në dekadat e fundit.

Në kushtet e mungesës së censit të planifikuar në vitin 2020 që do të tregonte popullsinë e saktë, metodologjitë e raportimit vjetor të popullsisë nga INSTAT tregojnë se me 1 janar 2022 popullsia e kryeqytetit arriti në 919,511 ose rreth 7 mijë banorë më shumë se më 2021. Siç shikohet edhe në grafikun e bashkëngjitur popullsia e Tiranës është rritur në mënyrë progresive, por numri i lindjeve ka nisur trendin rënës që në vitin 2014.

Përveç viteve 2019 dhe 2020 numri i lindjeve në Tiranë ka ardhur në rënie sistematike gjatë periudhës 2015-2022.

Një anketë kombëtare që zhvilluara nga INSTAT dhe IOM në vitin 2019 zbuloi se gjatë periudhës 2011-2019 10 për qind e familjeve në qarkun e Tiranës ishin larguar në emigracion. Tirana kishte përqindjen më të lartë të emigrimit të njësive familjare.

Në të gjitha qarqet rënia e lindjeve është me ritme dyshifrore me 2022. Shkaqet janë shumëdimensionale, por kryesoret lidhen me rënien e popullsisë në grupet me moshë të re. Për shembull në vitin 2021 grup-mosha 0-29 vjeç ka rënë me 35 % në krahasim me vitin 2001.

Brezi ynë pas dy dekadash do të mund të shohë qytete të tëra të braktisura. Imagjinoni që në të gjitha qarkun e Gjirokastrës ku përfshihen edhe Tepelena me Përmetin kanë lindur 364 bebe më 2022.

Pas 6 vitesh në të gjitha shkollat e qarkut do të jenë në klasën e parë vetëm 364 nxënës nëse prindërit e tyre nuk vendosin të emigrojnë jashtë vendit ose në qytete të tjera siç ka ndodhur këto vitet e fundit./Monitor


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *