Në Konferencën Botërore të Klimës që po zhvillohet në Glasgou të hënën vështrimi drejtohet tek takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota. Sinjalet para konsultimeve nuk kanë qenë shumë shpresëdhënëse.
“Ora është një 1 minutë para mesnate dhe ne duhet të veprojmë tani”, kërkon kryeministri i vendit mikpritës, Boris Johnson, sipas fragmenteve të publikuara para fjalimit të tij në Konferencën Botërore të Klimës, (COP26) në Glasgoun britanik. Njerëzimi për një kohë të gjatë ka luajtur me kohën për sa i përket klimës. Në listën e atyre që do të marrin fjalën në Glasgou krahas kryeministrit britanik, është edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, presidenti amerikan, Joe Biden, ai francez, Emmanuel Macron dhe krerë të BE. Për Gjermaninë, kancelarja Merkel do të japë një statement përmes videos në këtë konferencë. Në këtë konferencë mungojnë dy presidentë të dy vendeve që janë emetues të mëdhenj të gazrave karbonikë, presidenti kinez, Xi Jinping dhe ai rus, Vladimir Putin. Me shumë interes pritet të hënën, nëse presidenti i Indisë, Narendra Modi do të bëjë të ditur objektiva ambiciozë të klimës për vendin e tij, kjo mund të rrisë presionin ndaj Kinës.
Jo sinjal i fortë nga Roma
Fundjavën që kaloi në takimin e 20 vendeve më të industrializuara në Romë, vende përgjegjëse për një pjesë të madhe te emetimeve dëmtuese për klimën, u arrit vetëm një konsensus minimal: Vërtet që u përforcua premtimi për kufizimin e ngrohjes globale mundësisht në 1,5 gradë krahasuar me periudhën paraindustriale, por nuk u dha një datë e caktuar për këtë.
Edhe në drejtim të mosemetimit të CO2-it nuk pati një ujdi mes shteteve të G20-s. Sipas deklaratës së samitit, ky objektiv duhet të arrihet “deri në mesin apo fundin e shekullit”. Në samit pati shumë kundërshtime nga vendet në ekspansion dhe shtetet me prodhim të madh të energjisë nga lëndët fosile.
Aktivistët e klimës i kritikuar rezultatet e samitit si të pamjaftueshme. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u tregua i pakënaqur. “Po largohem nga Roma me shpresa të papërmbushura, por të paktën ato nuk janë varrosur”, shkroi Guterres në twitter. Kurse kryeministri britanik, Boris Johnson u shpreh, se “nëse dështon Glasgou, dështon e gjitha.”
Gjermania dëshiron të jetë urëndërtuese
Ministrja gjermane e Mjedisit në detyrë, Svenja Schulze e shikon Gjermaninë në Konferencën Botërore të Klimës në rolin e një urëndërtueseje. “Ne kemi ekspertizën, përvojën, dhe bazën e një përvoje, që mund të bëjë të mundur progresin në konferenca të tilla”, tha Schulze për gazetën gjermane “Rheinische Post”. Gjermania mund të ndihmojë vendet e tjera në luftë kundër ndryshimit të klimës financiarisht dhe me përvojën e saj. Schulze thekson, se Gjermania në këtë konferencë shkon me një objektiv shumë të fortë dhe ligjërisht të detyrueshëm në këtë konferencë. “Ne duam të jemi neutral ndaj klimës në vitin 2045, pra pesë vite më herët se BE.”
Në hapjen e konferencës COP26 në Glasgou, e ngarkuara e OKB-së për klimën, Patricia Espinoza u shpreh të dielën, se “nëse vazhdohet edhe më tej kështu”, në drejtim të emetimit të gazrave karbonikë, kjo do të thotë “investim në shuarjen tonë”. Kreu i presidencës britanike të COP26, Alok Sharma tha se dritarja për arritjen e objektivit të kufizimit të ngrohjes globale në 1,5 gradë po mbyllet. “Kjo konferencë ndërkombëtare duhet të ofrojë zgjidhje.”
Përgjysmim i emetimeve
Sipas ekspertëve, objektivi i kufizimit të ngrohjes globale në 1,5 gradë mund të arrihet vetëm atëherë, nëse përgjysmohen emetimet botërore të gazit karbonik CO2 në fund të këtij dhjetëvjeçari, dhe më së voni bota në vitin 2050 është neutrale ndaj klimës. Sipas të dhënave të fundit të Kombeve të Bashkuara, Toka po shkon drejt një ngrohjeje globale në 2,7 gradë në këtë shekull.
/Burimi: DW/