Torturat çnjerëzore të CIA-s/ Për herë të parë para gjykatës amerikane, ish i burgosuri tregon torturat në burgun e Guatanamos

Një i burgosur i burgut famëkeq i Guantanamos, i cili kaloi programin brutal të marrjes në pyetje të qeverisë amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit, e përshkroi atë hapur për herë të parë.

Qendra e burgimit u hap në një ishull të Kubës në 2002 si pjesë e reagimit ndaj sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në SHBA, për mbajtjen dhe marrjen në pyetje të të akuzarve për terrorizëm. Baza amerikane detare ishte një pikë kyçe e asaj që njihej si “Lufta kundër terrorit” e administratës Bush, teksa në kulmin e tij burgu ka mbajtur deri në 700 të burgosur.

Qendra përbëhet nga shtatë kampe si dhe impjante sekrete burgosjeje, të njohura si Gitmo. Drejtuesit e kampit ushtarak bazonin teknikat e tyre të “marrjes së përforcuar në pyetje”, siç quante CIA torturën në terma formalë, në teknikat e komunistëve kinezë gjatë Luftës Koreane, shkruante New York Times në 2008.

Prej torturave që përfshinin nxjerrje të syve, perdhunime dhe ekzaminime anale, ish të burgosurit e quanin atë “ferri mbi tokë”.

Të burgosurit torturoheshin në vaska uji, sulmoheshin seksualisht, detyroheshin të qëndronin zgjuar me ditë të tëra dhe bëheshin objekt ekzaminimesh brutale anale. Në këto përfshihej ndalimi i gjumit për disa ditë, mbajtja e të burgosurve në “pozicione stresi” për periudha të gjata, gjatë të cilave dhimbjet bëhen të padurueshme .

Majid Khan, një ish-banor i Baltimores, dha detaje se si u mbyt nën ujë dhe u abuzua mendërisht dhe fizikisht në “objektin e zi” famëkeq të CIA-s. Ai foli për torturat që i ishte nënshtruar në një vendndodhje sekrete të CIA-s, që ndodhi gjatë të ashtuquajturës “luftë kundër terrorit” prej dekadash, dha një deklaratë publike për herë të parë në një gjykatë amerikane.

Dëshmia e Khan, e dhënë gjatë një seance përpara Gjykatës së Krimeve të Luftës në Guantanamo, u bë publike fillimisht nga një prej të arrestuarve në “objektin e zi”, i cili përshkruante detajet e metodave të keqtrajtimit të përdorura nga shërbimi i inteligjencës amerikane si “teknika të avancuara të marrjes në pyetje”, shkruan New York Times.

Khan ishte shpallur më parë fajtor për akuzat që lidhen me rolin e tij si korrier dhe planifikues i Al-Kaedës.

“Mendova se do të vdisja,” tha Khan në dëshmi, duke detajuar teknikat e ndryshme të torturës.

Ai ka thënë se ndër të tjera se gjatë tre viteve të tij të mbajtur në qendrat e CIA-s e kanë lënë të varur lakuriq në një tra në tavan për një kohë të gjatë, e kanë sulmuar seksualisht e kanë lagur me ujë akull të ftohtë për të qëndruar zgjuar me ditë të tëra dhe se kokën e ja kanë mbajtur nën ujë derisa pothuajse po mbytej.

 

Ai thotë se është rrahur, abuzuar seksualisht dhe ka vuajtur urinë gjatë ndalimit të tij tre-vjeçar në vende sekrete të CIA-s. Ai u soll në Qendrën e Paraburgimit të Ushtrisë Amerikane në Kubë në shtator 2006.

“Unë iu luta të ndalonin dhe u betova se nuk dija asgjë. Po të kisha diçka për t’u thënë, do ta kisha bërë tashmë, por nuk kisha asgjë”, tha ai.

Disa detaje të trajtimit të Khan u publikuan më parë në një raport të Komitetit të Inteligjencës të Senatit të SHBA-së në vitin 2014, në të cilin CIA u akuzua se kishte shkuar shumë përtej ligjit në një përpjekje për të nxjerrë informacione rreth Al-Kaedës, por të dhënat publike për të burgosurit e rangut të lartë janë praktikisht inekzistente.

“Sa më shumë bashkëpunoja dhe flisja me ta, aq më shumë ata më torturuan,” tha Khan në gjykatë, duke përkuar me një raport të Komitetit të Senatit, i cili arriti në përfundimin se sjellja e agjentëve të SHBA nuk ishte vetëm çnjerëzore, por shpesh herë joefektive.

Organizatat e të drejtave të njeriut po kërkojnë përgjegjësi për abuzimet e kryera në vende sekrete dhe Raportuesi Special i OKB-së Nils Melret tha në vitin 2017 se ishte “një shkelje e qartë e Konventës kundër Torturës dhe se ajo dërgon një mesazh të rrezikshëm për mosndëshkimin e zyrtarëve në SHBA dhe anembanë botës.”

Ata i kërkuan presidentit amerikan Joe Biden t’i jepte fund ndalimit të pakufizuar në Guantanamo, të cilin një nga paraardhësit e tij, Barack Obama, premtoi ta bënte, por nuk e bëri.

Khan, u dënua në vitin 2012 me akuzat për vrasje, komplot dhe mbështetje materiale për “terrorizëm”. Oficerët ushtarakë të përzgjedhur nga Pentagoni pritet ta dënojnë Khan me 25 deri në 40 vjet burg, por ai do të vuajë shumë më pak për bashkëpunim me autoritetet amerikane.

Dënimi i tij do të reduktohet në jo më shumë se 11 vjet dhe do të përfshijë kohën që ai ka kaluar në paraburgim që nga shkurti i vitit 2012. Kjo do të thotë se ai mund të jetë i lirë që në fillim të vitit të ardhshëm.

Khan ka lindur në Arabinë Saudite dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitet 1990 me familjen e tij. Ai mbaroi shkollën në Baltimore dhe kishte një punë në Uashington, ku punoi gjatë sulmit të SHBA.

Ai tha se iu drejtua Al-Kaedës pas vdekjes së nënës së tij dhe pranoi se kishte dorëzuar 50,000 dollarë nga një fond i Al-Kaedës, i përdorur për financimin e një sulmi vdekjeprurës me bombë në hotelin Marriott në Xhakartë në vitin 2003, megjithëse më parë kishte thënë se nuk e dinte se për çfarë do përdorej paraja.

Ai gjithashtu pranoi se kishte marrë pjesë në disa tentativa sulmesh me udhëheqësin e supozuar të aksionit të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammed. Gjatë dëshmisë së tij, ai kërkoi falje për veprimet e tij.

“U përpoqa të rregulloja të gjitha gjërat e këqija që bëra. Prandaj e pranova fajin dhe bashkëpunova me qeverinë amerikane”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara aktualisht po mbajnë 39 persona në paraburgim në Guantanamo, dhe Khan është i pari nga disa të burgosur “të medhenj” që kaloi programin e marrjes në pyetje të CIA-s dhe u shpall fajtor dhe i dënuar.

Gjyqi i pesë personave të akuzuar për sulme në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Mohammedin, është në fazën e kërkimit dhe gjyqtari pretendon se ai nuk do të fillojë para vitit të ardhshëm.

/Burimi: Al Jazeera/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *