Hapjen e depove të armës në 1997, Aishe Haklaj e konsideron si një tradhti kombëtare jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe shtetasve shqiptarë. Ajo tha se Berisha u ka shitur kosovarëve dhe UÇK-së armët që mund t’ia jepte në mënyrë zyrtare, teksa më e rënda sipas saj ishte furnizimi me armë i serbëve në një kohë që Kosova luftonte kundër tyre.
“Ndarja e armëve ka qenë një tradhti kombëtare sepse ato armë drejt Kosovës u dërguan me para dhe shteti mund t’i dërgonte në mënyrë shtetërore, pa para. Ata po rrezikonin shfarosje, kurse ne po u shisnim vëllezërve tanë, ata që u kanë shitur, armët që i kishin marrë në depot shtetërore. Ato armë mund të dërgoheshin përmes shtetit, në mënyrat e tyre, me marrëveshjet e tyre, por duhej të ishin marrëveshje shtetërore sepse edhe Kosova kishte ato, si të thuash, institucionet e saj, kishte një president në atë kohë, kishte një qeveri në ekzil në atë kohë, u krijua më pas UÇK-ja, e cila po përpiqej të luftonte kundër regjimit të Millosheviçit. Por, ndarja e armëve në Shqipëri, hapja e depove të armatimit, ishte një tradhti kombëtare.
Jo vetëm tradhti kundër trojeve të Kosovës, ishte një tradhti kombëtare edhe për shqiptarët e Shqipërisë, edhe për shqiptarët e Kosovës. Unë e bëj përgjegjës Berishën 100%. Atij nuk i dilte asgjë jashtë kontrollit. Ai e ka bërë me paramendim edhe arsyet e tij ishin këto: në radhë të parë ai i ka dërguar armatime dhe naftë, armatime të rënda, të cilat ne nuk ua jepnim dot vëllezërve tanë, ato jepeshin vetëm përmes shtetit, ai ka dërguar armatime të rënda ndoshta jo vetëm në Serbi, por edhe në shtete të tjera dhe ai duhej që t’i mbulonte se ndoshta e mendonte që një ditë do të numërohej grosha nga një kokërr, i themi ne andej nga anët tona. Dhe që të mbulojë atë krimin që ai kishte bërë, atë shitjen e armëve dhe unë jam shumë e bindur tani që shitja e atyre armëve që ai njeri ka bërë, ka hyrë në xhepin e atij njeriu ose në xhepin e familjes së tij”, tha Haklaj në intervistën e dhënë përballë gazetarit Denis Minga në Report TV.
Burimi:Report Tv