Një 21-vjeçar ka rënë në pranga e policisë ditën e sotme. Sipas informacioneve të para ai është pjesëtari i 13-të i bandës së ‘Parkut’ .
I riu në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar, merrej me veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të operacionit policor të koduar “Parku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lëndëve narkotike, finalizuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DPPSH, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 12 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi R. D., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në koordinim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Dhërmi, e shtetasit R. D.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, e cila i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, u bë ndalimi i shtetasit R. D., 21 vjeç.
Ky shtetas, në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar, merrej me veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/