Të paktën 21 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën kur një zjarr shpërtheu në një ndërtesë ku banorët morën pjesë në një festë në Rripin e Gazës, njoftuan të enjten zyrtarët shëndetësorë dhe të emergjencës civile.
Zjarrfikësve iu desh më shumë se një orë për të marrë kontrollin e flakëve masive që shpërthyen në katin e fundit të një ndërtese banimi katërkatëshe në kampin e refugjatëve me popullsi të dendur Jabalia në veri të Gazës, shkruan Reuters.
Ambulancat dërguan disa të plagosur në spitalet lokale dhe Izraeli, i cili së bashku me Egjiptin mban një bllokadë në Gaza, tha se do të lejonte transportin e personave që kanë nevojë për trajtim mjekësor. Ministria e Brendshme e Gazës tha se një hetim fillestar zbuloi se sasi të mëdha benzine ishin ruajtur në vend, duke nxitur zjarrin që përfshiu shpejt ndërtesën.
Dëshmitarët raportuan se dëgjonin britma por, nuk mund të ndihmonin ata që ishin brenda për shkak të intensitetit të zjarrit. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e quajti një tragjedi kombëtare dhe tha se do të kishte një ditë zie.
Jabalia zona ku ka ndodhur ngjarja në Palestinë, është një nga tetë kampet e refugjatëve në Gaza, ku jetojnë 2.3 milionë njerëz dhe një nga zonat më të dendura të populluara në botë.